Flash News

E-TJERA

AMP njoftim zyrtar për arrestimin e shefit të Zjarrfikëses së Cërrikut dhe 4 vartësve të tij

AMP njoftim zyrtar për arrestimin e shefit të Zjarrfikëses

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dalë me njoftim zzyrtar lidhur me arrestimin e pesë personave në qytetin e Cërrikut, ku ndër të arrestuarit është Drejtori i Forcave Zjarrfikëse të Cërrikut, Artion Taçi 36 vjeç.

Akuza që rëndon ndaj tyre është ndikimi i paligjshëm dhe krimi zgjedhor. Të arrestuarit e tjerë janë: Adnand Xhelili, Agiano Dinoshi, Alban Shima dhe Armand Gjoka, sakaq është shpallur në kërkim një 64-vjeçar me inicialet K.V për falsifikim dokumentesh.

Mësohet se arrestimi i tyre është bërë me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Sipas burimeve, 5 të arrestuarit u jepnin firmave private vërtetime false që nuk kishin detyrime tatimore.

Njoftimi i plotë: 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka vendosur masën e sigurisë të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për shtetasit:

A.T., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;

A.GJ., 43 vjeç, me detyrë punonjës i Zjarrfikëses në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;

A.XH., 33 vjeç, me detyrë punonjës i Zjarrfikëses në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;

A.SH., 35 vjeç, me detyrë Përgjegjës i OSHEE Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;

A.D., 34 vjeç, me detyrë specialist në bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim i shtetasit K.V., 64 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi vazhdojnë me qëllim identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në aktivitet të paligjshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.

 

Të fundit