Flash News

E-TJERA

Nga inovacion në avatar pa fytyrë, si u shua fama e "Diellës" në mediat ndërkombëtare

Nga inovacion në avatar pa fytyrë, si u shua fama e

Dikur e cilësuar si “risi dhe invoacion” në mediat ndërkombëtare falë marketingut të Ramës, sot, “Diella” rrezikon të fiket. Padia e aktores Anila Bisha ndaj qeverisë ku kërkon pezullimin e Ministres së AI, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Politico shkruan se ministrja “së shpejti mund të jetë pa fytyrë”, pasi aktorja, fytyrën e së cilës qeveria shfrytëzoi për chatbot-in e-Albania fillimisht, kërkon të mos përdoret më si imazh i “Diellës”.

Buja që Rama i dha Diellës u venit, e tashmë, mediat ndërkombëtare po e trajtojnë si një ministre antikorrupsoni që rrezikon fytyrën, njësoj si kolegët e saj prej mishi tjetërsojnë fytyrën, karakterin, moralin, për hir të korrupsionit.

“Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Dixhitale e Shqipërisë, zyrtarja e parë virtuale në botë, së shpejti mund të jetë pa fytyrë, pasi aktori sipas të cilit ajo u modelua po e çon qeverinë në gjyq... Ngritja e avatarit në ministre në shtator të vitit të kaluar pa imazhin e saj të vihej në jetë në një fjalim parlamentar të transmetuar në të gjithë botën.

Në gusht 2025, kryeministri shqiptar Edi Rama bëri bujë duke hedhur idenë e një ministri ose kryeministri të inteligjencës artificiale. Një muaj më vonë, ai njoftoi Diellën, një zyrtare të mundësuar nga inteligjenca artificiale e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit në prokurimin publik. Në dokumentet gjyqësore të publikuara, Bisha kërkon një urdhër gjyqësor për të ndaluar menjëherë përdorimin e imazhit të saj deri në përfundimin e çështjes”, shkruan media e njohur.

Ndërkaq, Politico ka kontaktuar zëdhënësen e qeverisë, Manjola Hasa e cila e pashqetësuar ka thënë se padia e aktores është e pakuptimtë, por pa dhënë asnjë detaj se mbi bazën e cilës marrëveshjen po përdoret imazhi i Bishës.

“Shqipëria është një vend i lirë demokratik ku, si në çdo vend tjetër pa censurë, njerëzit janë të lirë të mendojnë dhe të veprojnë përmes rrugëve ligjore kundër qeverisë. Sipas mendimit tonë, kjo padi është e pakuptimtë, por ne e mirëpresim mundësinë për ta zgjidhur atë një herë e përgjithmonë në një gjykatë”, ka thënë zëdhënësja e qeverisë.

Bisha është kontaktuar nga Politico, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk është përgjigjur.

Petku i madhështisë që Rama i dha “Diellës” ka rënë, njësoj si zotimi i kryeministrit për ta kthyer AI-në në zgjidhje të çdo problemi.

Të fundit