Flash News

E-TJERA

Ankandet e riblerjes, qeveria blen mbrapsht rreth 1.1 miliardë lekë obligacione

Ankandet e riblerjes, qeveria blen mbrapsht rreth 1.1 miliardë lekë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka zhvilluar këtë dy muaj dy ankande të riblerjes së obligacioneve referencë me maturim 3-vjeçar dhe 5-vjeçar.

Në ankandin e obligacioneve 3-vjeçare, u blenë mbrapsht obligacione totale në vlerën e 218 milionë lekëve, me një yield mesatar prej 3.01%. Ndërsa në ankandin e obligacioneve 5-vjeçare u blenë mbrapsht 900 milionë lekë, me një yield mesatar prej 3.07%.

Sipas ekspertëve, ankandet e riblerjes së obligacioneve referencë organizohen zakonisht me qëllim ripërtëritjen e portofolit të titujve referencë. Obligacionet që u riblenë në ankandet e këtij muaji maturoheshin vitin e ardhshëm dhe për këtë arsye interesi për tregtimin dytësor të tyre bie.

Për këtë qëllim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ofron mundësinë e blerjes mbrapsht të këtyre instrumenteve, ndërsa ato gradualisht zëvendësohen me emetime të reja të titujve referencë. Megjithatë, suksesi i ankandeve të riblerjes varet nga dëshira e investitorëve për t’i shitur para afatit të maturimit.

Veçanërisht në ankandin e obligacioneve 3-vjeçare, interesi i tyre nuk ka qenë shumë i madh dhe në ankand u paraqitën kërkesa për vetëm 218 milionë lekë, nga 4 miliardë lekë që është vlera totale e obligacioneve të këtij emetimi, në vitin 2021.

Në këtë periudhë, buxheti i shtetit gëzon një gjendje të bollshme likuiditeti, falë suficitit të konsiderueshëm të akumuluar në muajt e fundit të vitit, por edhe një huamarrjeje më të madhe se parashikimet, sidomos në tremujorin e parë të vitit, duke shfrytëzuar edhe rënien e ndjeshme të yield-eve në tregun e brendshëm. Gjithashtu, këtë muaj qeveria shqiptare emetoi Eurobondin e radhës prej 600 milionë eurosh në tregjet e huaja financiare.

Në këtë rast, ankandet e riblerjes nuk lidhen direkt me nevojat e menaxhimit të huamarrjes qeveritare, sesa me mbarëvajtjen e projektit të titujve referencë.

Projekti i titujve referencë nisi në vitin 2018 dhe kishte si qëllim kryesor nxitjen e tregut dytësor të titujve qeveritarë. Në ankandet e këtyre titujve marrin pjesë në mënyrë direkte vetëm pesë banka tregtare që kanë lidhur marrëveshje me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për këtë qëllim. Pjesëmarrësit e tjerë të interesuar mund të marrin pjesë vetëm nëpërmjet këtyre subjekteve.

Aktualisht, lista e titujve referencë përfshin disa emetimeve të obligacioneve me maturim 3-vjeçar, 4 vjeçar dhe 5-vjeçar. Titujt referencë gëzojnë likuiditet më të lartë se emetimet e zakonshme, për shkak të detyrimit që kanë Zhvilluesit e Tregut për të kuotuar çmime blerjeje dhe shitjeje në tregun sekondar, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur me Ministrinë e Financave.

Projekti i titujve referencë synon të adresojë problemin e mungesës së një tregu të zhvilluar dytësor të titujve qeveritarë në Shqipëri. Kuotimi ditor i çmimit të këtyre titujve shërben si pikë referimi për të përcaktuar një çmim të drejtë tregu edhe për instrumentet e tjera të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. Monitor

Të fundit