Flash News

E-TJERA

Ankandet mashtruese/ Shoqëritë mikrofinanciare batërdi me pronat e shqiptarëve, 13 persona kallëzohen në SPAK

Ankandet mashtruese/ Shoqëritë mikrofinanciare batërdi me pronat

Dhoma e përmbaruesve ka zbardhur skemën si janë rrëmbyer pronat e qytetarëve nga shoqëritë mikrofinanciare.

Rastet janë denoncuar nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, e cila ka vënë në dispozicion të SPAK-ut mbi 15 000 dokumente dhe akte, ku tregohen me detaje ankandet fiktive të zhvilluara me pronat e shqiptarëve. 

Ky institucion denoncon se në 31 bashki të vendit, janë zhvilluar mbi një mijë ankande fiktive ku qytetarët nuk e dinë ende nëse u janë marrë apo grabitur pronat nga “Micro Credit Albania” ose “Final”, me metodën "online" pranë drejtorive vendore të Kadastrës.

Kallëzimi në SPAK, nga ky institucion është depozituar më 20 nëntor ndaj 13 personave për ankandet fiktive, ku përfshihen përmbarues, ish-përmbarues, vlerësues të pasurive të paluajtshme, përfaqësues ligjorë dhe ortakë të institucioneve financiare jo banka, si dhe persona të lidhur me ta. 

Deklaratën e plotë të Dhomës së Përmbaruesve

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka ndërmarrë më datë 20.11.2023 veprime konkrete duke depozituar në SPAK kallëzim penal për një Grup të Strukturuar Kriminal që në bashkëpunim ka konsumuar në vazhdimësi veprat penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorim detyre”, “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.

Personat e përfshirë në Grupin e Strukturuar Kriminal e të kallëzuar nga Dhoma janë 13 individë/shtetas, ku përfshihen përmbarues, ish-përmbarues, vlerësues të pasurive të paluajtshme, përfaqësues ligjorë dhe ortakë të institucioneve financiare jobanka, si dhe persona të lidhur me ta.

Materiali kallëzues drejtuar SPAK-ut shoqërohet me një dokumentacion provues me rreth 15 000 dokumente dhe akte që po vijon të plotësohet me akte të tjera për organin e akuzës speciale, për çdo ditë, që pranë Dhomës, adresohen dhe administrohen prova dhe fakte të reja, referuar një prej veprimtarive kriminale më të rënda të ndodhura vitet e fundit, filluar në vitin 2016, që nëse nuk ndalet Sot, do të përhapet me shpejtësi gangrenizimi të pashërueshme në gjithë shoqërinë shqiptare. Pasojat e kësaj veprimtarie kriminale llogariten paraprakisht se kanë arritur të afektojnë një pjesë të mirë të popullatës në të gjithë vendin.

Qindra denoncime të adresuara në Dhomën Kombëtare dhe Ministrinë e Drejtësisë, vitet e fundit, flasin qartë për zhvillimin e një veprimtarie të mirëfilltë dhe mirorganizuar kriminale, në përfitim të disa institucioneve financiare jobanka, me pararojë “Micro Credit Albania”, “Final”.

Provat shkresore tregojnë se nga vetëm 32 bashki në vend prej 61 gjithsej, janë zhvilluar mbi një mijë ankande fiktive ku qytetarët nuk e dinë ende nëse u janë marrë apo grabitur pronat nga “Micro Credit Albania” ose “Final”, me metodën online pranë drejtorive vendore të Kadastrës.

Nga komunikimet me bashkitë në gjithë territorin përllogaritet që janë shpallur mbi 4 000 ankande fiktive pronash dhe pasurish të paluajtshme. Nga një sondazh paraprak, vlerësohet se viktima të ankandeve fiktive janë shumë individë që nuk jetojnë apo banojnë në Shqipëri.

Të dhënat e depozituara pranë SPAK-ut janë të plota, për çdo individ, shtetas që ka rënë pre e këtij grupi të strukturuar kriminal; të dhëna dhe fakte shkresore që tregojnë për mijëra ankandet për shitjen e mijëra pasurive të paluajtshme të qytetarëve shqiptarë, të gjitha me vlera qesharake, me vetëm synim – qëllimin final – atë të kalimit të pronave nga apartamente deri troje, në pronësi të këtij grupi të strukturuar kriminal.

Dhoma Kombëtare po ndjek çështjen nga afër dhe do të bashkëpunojë çdo ditë me organin e akuzës speciale për të stopuar njëherë dhe përgjithmonë këtë veprimtari kriminale, që prej vitesh ka atrofizuar jetesën e mijëra familjeve shqiptare, kjo nën trysninë e pashpirt të Shërbimit të Përmbarimit Mikrofinanciar dhe që prej 10 muajsh të këtij viti, po gllabëron pa asnjë skrupull moral e ligjor pronat dhe pasuritë e paluajtshme të familjeve shqiptare.

Dhoma Kombëtare u bën thirrje mediave dhe gjithë publikut të gjerë të shohin faktet që po i sjellim me aktet bashkëngjitur dhe të njoftojnë njëri-tjetrin, të gjithë individët dhe familjet e prekura nga ky grup i strukturuar kriminal, që aktualisht prezantojnë vetëm 1305 raste të ankandeve fiktive të shpallura për shitje pronash, por që janë shumë më tepër dhe që mund të kenë përfunduar me grabitjen e tyre.

Dhoma Kombëtare inkurajon të gjithë shtetasit që mund të dyshojnë për gëzimin qetësisht të pronave të tyre, të verifikojnë pa humbur kohë këtë listë që po e sjellim sot pranë zyrave kadastrale të qyteteve përkatëse dhe të kontrollojnë statusin e pronës së tyre.

U bëjmë thirrje qytetarëve të verifikojnë sa më shpejt, pranë administratës së bashkive dhe gjykatave ku kanë pronat, nëse pasuritë e tyre të paluajtshme janë përfshirë në ankandet fiktive deri ditën e këtij njoftimi.

U bëjmë thirrje të gjithë të mashtruarve që kanë riblerë me “dhurim” pronat e tyre nga pronarët e rinj mikrofinanciarë të mos kenë frikë dhe të tregojnë të vërtetën e tyre në SPAK, pranë Dhomës, në media, kudo. Askush nuk mund t’i shantazhojë më!

Dhoma Kombëtare është e gatshme të mirëpresë, të ndihmojë dhe orientojë këdo nga mijëra shtetasit që kanë rënë pre apo pa dijeninë e tyre kanë mbetur peng të kësaj skeme kriminale, që për pak nëse nuk denoncohej fort, mund të kthehej në një dramë shoqërore, kombëtare.

 

Të fundit