Flash News

E-TJERA

Anketa: Shqiptarët nuk dinë çfarë taksash paguajnë, gjysma duan t’i shmangin

Anketa: Shqiptarët nuk dinë çfarë taksash paguajnë,

Qytetarët shqiptarë, pavarësisht detyrimit që kanë për të paguar taksat, nuk kanë informacion se çfarë taksash paguajnë.

Një anketë e realizuar nga CoPlan, referuar Scan Tv, tregon se 23% e tyre nuk kanë asnjë lloj informacion mbi taksat që paguajnë, ndërsa 72% e tyre rezultojnë të jenë njohur në përgjithësi me detyrimet që kanë ndaj bashkive.

92% e të anketuarve pohojnë se nuk kanë marrë asnjëherë pjesë në dëgjesat publike që qeveritë vendore duhet të organizojnë për qytetarët, duke nxjerrë në pah mungesën e transparencës së bashkive.

Kështu, pjesëmarrja e ulët në dëgjesat publike krijon paqartësi mbi taksat që paguajnë qytetarët, mënyrën e pagesës dhe llogaritjes së detyrimeve. Të paktën 49% e të anketuarve nuk e kanë idenë se si bëhet llogaritja e detyrimeve vendore që ata paguajnë.

Referuar raportit, një nivel i lartë i njohurive mbi detyrimet vendore vlerësohet se do të kontribuonte pozitivisht në qasjen e taksapaguesve ndaj detyrimeve vendore, do të përmirësonte mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, faktor ky thelbësor për financa të shëndetshme në nivel vendor dhe shërbime publike cilësore për qytetarët.

Duke vlerësuar përgjigjet e të anketuarve, rezulton se 83% e tyre deklarojnë se taksat janë të larta dhe kufizojnë aftësinë e tyre paguese. 13% aktualisht nuk i paguajnë taksat, ndërsa afro gjysma e qytetarëve pohojnë se nëse do të kishin mundësi, do t’i shmangeshin pagesës.

 

Të fundit