Flash News

E-TJERA

Antimafia italiane heton letrën e ish-prokurorit shqiptar, përmendet Rama dhe karteli i dr*gës në Aruba

Antimafia italiane heton letrën e ish-prokurorit shqiptar, përmendet

Një letër anonime ka mbërritur në Drejtorinë Antimafia të Romës. Në dokument përmendet emri i kryeministrit Edi Rama dhe aludime për lidhje të mundshme mes qeverisë shqiptare dhe botës së krimit të organizuar shqiptar.

Autori i letrës, që prezantohet si ish-prokuror i Vlorës, përshkruan një takim të zhvilluar në Aruba në janar të vitit 2019, ku sipas tij kanë qenë të pranishëm Artur Shehu, një figurë e njohur e krimit me ndikim ndërkombëtar si dhe përfaqësues të nivelit të lartë të qeverisë shqiptare, përfshirë vetë Ramën.

Në dokument pretendohet se gjatë këtij takimi, një kartel ndërkombëtar droge ka kërkuar mundësi për investime miliardëshe në Shqipëri për pastrimin e parave, dhe se kërkesa është pranuar nga pala shqiptare.

Letra anonime, tashmë në duart e Prokurorisë Antimafia dhe të policisë italiane, përfshin gjithashtu dy emra të dyshuar për atentatin ndaj gazetarit italian Sigfrido Ranucci, që ndodhi pak ditë pas publikimit të librit investigativ “Të Pamposhturit” të autorit Nello Trocchia, ku përmendet për herë të parë takimi Rama–Shehu në Aruba.

Në një intervistë të re për gazetaren Alba Kepi, gazetari italian Nello Trocchia theksoi se informacioni mbi takimin në Aruba është pjesë e provave zyrtare të Drejtoria Investigativa Antimafia (DIA).

Intervista e Alba Kepi ne Syri tv me gazetarin investigativ Nello Trocchia:

Alba Kepi: Pas intervistës së fundit, kanë ndodhur disa zhvillime: atentati ndaj Sigfrido Ranuccit dhe një letër anonime që ka mbërritur në drejtimin e DIA-s së Romës, ku përmendet libri juaj “Invincibili, mafia albanese” dhe një figurë kyçe e kriminalitetit shqiptar, si Artur Shehu. Përmendet gjithashtu takimi në Aruba ku dyshohet se kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të qeverisë Rama.

Cfarë mund të themi sot për këtë letër dhe për të gjitha ngjarjet deri tani? Publiku shqiptar është shumë i interesuar.

Nello Trocchia: Faleminderit për vëmendjen. Pika e parë është kjo: gjithçka që unë shkruaj në libër është ajo që ka evidentuar Direzione Investigativa Antimafia.

Në vitin 2019, në Aruba, është dokumentuar një takim mes një karteli kriminal, me praninë e Artur Shehut, dhe disa përfaqësuesve të papërcaktuar të qeverisë Rama.

Këtë e kam botuar në libër dhe është provë e DIA-s, policia italiane më e specializuar kundër krimit të organizuar. Unë i kam kërkuar Edi Ramës të japë shpjegime: kush ishte në atë takim, çfarë dinte ai, çfarë lidhje kishte apo jo me Artur Shehun.

Nuk kam marrë përgjigje. Jam gati t’i dëgjoj sa herë të ketë sqarime.

Më pas ndodhi atentati i rëndë ndaj Ranuccit. Pas disa ditësh mbërriti një letër anonime, e publikuar nga gazeta Domani, e dërguar edhe në Prokurorinë Antimafia të Romës dhe DIA. Aty thuhet se libri im ka nxitur dinamika kriminale sepse kam zbuluar takimin Rama–Shehu në Aruba.

Letra më shqetësoi. Nuk e di nëse pista shqiptare lidhet me atentatin. Në letër përmenden edhe dy emra si ekzekutorë të mundshëm. Forcat italiane po hetojnë të gjitha pistat. Mund të jetë një gjurmë reale ose një tentativë për devijim.

Mafia shqiptare dhe ajo italiane janë gjithnjë e më të lidhura. Marrëveshja e fundit Itali–Shqipëri e bën edhe më të domosdoshme transparencën.

Alba Kepi: Në letër përmendet se ajo mund të jetë shkruar nga një ish-prokuror i Vlorës. Çfarë dimë?

 Nello Trocchia: Autori thotë se ka qenë prokuror në Vlorë, ka hetuar çështje të rëndësishme dhe ka pasur probleme sigurie. Ai përmend dy emra si ekzekutorë të mundshëm, që sipas kolegut tim gazetar që publikoi letrën, janë të njohur për autoritetet shqiptare.

Hetimi është në fazë fillestare: verifikohen kamerat e sigurisë, mjetet e përdorura, materiali shpërthyes, ai që është përdorur për bombën artizanale, krahasimet me atentate të tjera të mafias romane. Ende nuk ka pistë kryesore.

 Alba Kepi: A ka nisur bashkëpunimi mes autoriteteve italiane dhe shqiptare për këtë letër?

Nello Trocchia: Po, besoj se po. Është praktikë normale kur përmenden emra konkretë nga vende të ndryshme. Pika e parë që verifikohet është: këta persona janë  o ishin në burg apo të lirë kur ndodhi atentati?

Alba Kepi: Ju flisni shpesh për rolin e Artur Shehut në botën e krimit. Kush është ai sipas dokumenteve që keni parë?

Nello Trocchia: Artur Shehu është një figurë shumë e rëndësishme. Nuk ka dënime të mëdha të formës së prerë, jeton në Miami, e kam kontaktuar zyrtarisht për intervistë, por nuk kam marrë përgjigje.

Ai ka kaluar pa u prekur nga konfliktet e dhunshme të viteve ’90 në Shqipëri, ka pasur role pranë botës politike dhe më pas është ngritur në nivel që ka marrëdhënie me rrjete të trafikut ndërkombëtar. Në Vlorë ka pasur investime: resorti “Crystal”, prona, dhe sipas dokumenteve, ka bashkëpunëtorë në Shqipëri. Ka pasur lidhje edhe me figura të krimit italian, sipas hetimeve të mëparshme, megjithëse nuk është dënuar në atë çështje.

Këto tregojnë nivelin e tij të marrëdhënieve dhe ndikimit.

 Alba Kepi: Nëse Artur Shehu jeton në SHBA, kush mund të hetojë mbi të?

Nello Trocchia: Autoritetet italiane hetojnë për krime në territorin italian. Kur një person është jashtë vendit, si në SHBA, përfshihet bashkëpunimi ndërkombëtar. Nëse ka vepra penale në Shqipëri, është kompetencë e drejtësisë shqiptare. Por një figurë e këtij niveli kërkon bashkëpunim mes agjencive.

Alba Kepi: Si funksionon nga pikëpamja juridike? Artur Shehu është një person që sipas dokumenteve ka akuza për trafik ndërkombëtar, pastrim parash, biznese të dyshimta. A mund ta hetojë DIA italiane apo duhet të nisë gjithçka nga Prokuroria Shqiptare?

Nello Trocchia: Sa i përket hetimit që ka pasur mbi njerëzit e Artur Shehut, ai hetim është kryer në Itali. Procedura më pas është mbyllur, sepse kur dyshohet për një vepër penale të kryer në territorin italian, mund të hetohesh edhe nëse jeton jashtë vendit.

Ajo ishte një hetim shumë i vështirë, sepse përfshinte persona që vepronin në nivel ndërkombëtar. Kjo do të thotë që ke nevojë për bashkëpunim me forca të tjera hetimore dhe duhet të ndjekësh pista të ndryshme njëkohësisht.

Në atë hetim kishte disa drejtime: një segment për trafik droge, lidhur me njerëz të lidhur me Shehun, një segment për pastrim dhe investim parash në Itali për llogari të Shehut, dhe pastaj çështje që lidhen me marrëdhëniet me administratën dhe politikën në Shqipëri dhe vende të tjera europiane. Për shembull, në dosje dilnin emra avokatësh, lidhje të biznesit dhe kontakte administrative. E gjitha kjo e bënte hetimin shumë kompleks dhe e zgjaste kohën. Dhe për shkak të afateve ligjore, ai proces përfundoi me arkivim.

Është e qartë që Shehu mund të hetohet për krime të kryera në Itali. Në atë rast ishin njerëzit e tij që po hetoheshin për investimin e parave të tij si në Itali ashtu edhe në Shqipëri.

Në Shqipëri në përgjimet e asaj çështjeje flitej për: parkimin që do ndërtohej në Vlorë, resortin e tij,

dhe madje flitej edhe për Kadastrën, ku duhej “bindur” disa punonjës që kundërshtonin procesin e legalizimit të tokave apo lejeve.

Nga përgjimet ishte e qartë që kishte përpjekje për t'i bërë këta punonjës të merrnin vendime “me të mirë ose me të keq”.

Hetimi ishte i nivelit shumë të lartë. Mbyllja e tij është fakt, por është edhe një humbje përkundrejt rëndësisë së çështjes. Duhej vazhduar, por ka kufij ligjorë të kohës dhe marrëveshje ndërkombëtare që ndikojnë në këto procese.

Hetimet mund të rihapen nëse ka elementë të rinj, të dhëna të reja, sinjale hetimore ose vepra të reja që lidhen me atë çështje.

Ajo që di është se kjo hetim kishte edhe pista hetimore në Belgjikë dhe në vende të tjera të Europës Qendrore, sepse këta individë lëviznin mes Shqipërisë, Miamit, vendeve të Europës, Holandës, Belgjikës dhe Italisë.

Të fundit