Flash News

E-TJERA

Apeli lë në fuqi dënimin me burg për "Rrumin e Shijakut", akuzat ndaj tij

Apeli lë në fuqi dënimin me burg për "Rrumin e

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë këtë të mërkurë në fuqi dënimin me burg për Aleksandër Lahon i njohur ndryshe si "Rrumi i Shijakut".

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Aleksandër Laho u deklarua fajtor për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Fillimisht, ai u dënua me 3 vite burgim, por në zbatim të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit, duke përfunduar me një dënim final prej 2 vitesh burg.

Sipas hetimeve, dyshohet se Laho i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.

Njoftimi i gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar),  më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 28.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.L., ndaj vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

- Lënien në fuqi të vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:

- Deklarimin fajtor të të pandehurit A.L. për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 244 dhe 50, shkronja gj) të K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

- Në bazë të nenit 406 paragrafi 1 i K.Pr.Penale të pandehurit A.L. i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.

- shpenzimet procedurale edhe në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurit.
U shpall në Tiranë, më 23.07.2025.

Të fundit