Flash News

E-TJERA

Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij padisin qeverinë në Strasburg

Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij padisin qeverinë në Strasburg

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij, Erjola Hoxha, kanë paditur shtetin shqiptar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Dyshja pretendon se kontrolli i ushtruar në banesën e tyre në mars të vitit 2023, ishte i paligjshëm dhe në shkelje të të drejtave themelore.

Padia (nr. 14216/24) është dorëzuar më 8 maj 2024 dhe i është komunikuar qeverisë shqiptare më 6 tetor 2025.

Në ankesën e tyre, Ahmetaj dhe Hoxha kundërshtojnë kontrollin e banesës dhe sekuestrimin e pajisjeve elektronike, të kryer nga SPAK më 9 mars 2023, mbi bazën e një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ahmetaj argumenton se në kohën e ngjarjes ai gëzonte imunitetin parlamentar dhe banesa e tij nuk mund të kontrollohej pa miratimin paraprak të Kuvendit, siç parashikohet në nenin 73, pika 2 të Kushtetutës së Shqipërisë.

Po ashtu, në padi thuhet se Ahmetaj dhe Hoxha nuk kishin në dispozicion një procedurë efektive për të kundërshtuar ligjshmërinë e kontrollit, duke pretenduar shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe banesës) dhe nenit 13 (e drejta për mjet efektiv juridik) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata e Strasburgut i ka drejtuar dy pyetje kryesore qeverisë shqiptare, duke kërkuar sqarime:

1. A ka pasur shkelje të së drejtës së kërkuesit të parë për respektimin e banesës së tij, të garantuar nga neni 8 i Konventës? Në veçanti, a është kryer kontrolli i banesës në përputhje me nenin 73 (2) të Kushtetutës mbi imunitetin e AP-ve? A ka shteruar kërkuesi i parë ndonjë mjet efektiv juridik në këtë drejtim?

2. A ofronin legjislacioni dhe praktika vendase mjete procedurale të mjaftueshme për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrit të kontrollit, mënyrën e kryerjes së kontrolleve të banesës së tyre dhe të personit dhe telefonit celular të kërkueses së dytë, ose sekuestrimin e sendeve në banesën e tyre, siç kërkohet nga nenet 8 dhe 13 të Konventës? Në veçanti, a ishte vendimi gjyqësor i 8 marsit 2023 i ankueshëm?

Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij padisin qeverinë në Strasburg Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij padisin qeverinë në Strasburg

Të fundit