Flash News

E-TJERA

Arben Ahmetaj i jep 150 mijë dollarë kompanisë së huaj për të lobuar në SHBA

Arben Ahmetaj i jep 150 mijë dollarë kompanisë së huaj

Edhe pse në arrati, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, po vijon përpjekjet për të hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme, për aferën e inceneratorëve.

Së fundmi, Ahmetaj ka kontraktuar një kompani të huaj “Prism Group” për të lobuar. Në deklaratën e saj në Regjistrin e Agjentëve të Huaj, FARA në SHBA, kjo kompani thotë se “do të advokojë për llogari të dy të huajve: Arben Ahmetaj dhe Erjola Flamur Hoxha, që të dy shtetas shqiptarë”.

Siç pasqyrohet edhe në dokument, synimi i lobimit është “të edukojë politikëbërësit mbi akuzat penale të pavërteta të ngritura ndaj klientit nga Qeveria e Shqipërisë”.

Nga ky kontraktim me kompaninë e huaj, ish-zv.kryeministri merr përsipër të paguajë një detyrim prej 150 mijë dollarë, nga të cilat 50 mijë do të paguhen menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa pjesa tjetër do të shlyhet me 4 këste nga 25 mijë secili.

Ao që bie në sy është adresa aktuale e ish-zv.kryeministrit e cila është regjistruar në Lugano të Zvicrës.

SPAK ka ngritur ndaj Ahmetajt tre akuza: “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë.

Vetë Ahmetaj i ka mohuar akuzat duke pretenduar se është i pafajshëm. Në një intervistë të fundit për Syri TV, nga arratia, ai deklaroi se ka marrë kërcënime me jetë nga kryeministri Rama, teksa kërkoi nga SPAK që të hetojë inceneratorin e Tiranës, pasi sipas tij pronari faktit i tij është Erion Veliaj.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit