Flash News

E-TJERA

Arratisja e Altin Ndocit, të burgosurit me rrezikshmëri të lartë zhvendosen nga Durrësi në burgun e Fierit

Arratisja e Altin Ndocit, të burgosurit me rrezikshmëri të

Pas arratisjes së Altin Ndocit mesditën e djeshme nga spitali i burgut, ku ishte dërguar për kontrolle mjekësore, autoritetet kanë nisur një operacion të brendshëm për të transferuar persona me rrezikshmëri të lartë nga Burgu i Durrësit drejt burgut të Fierit.

Burgu i Durrësit nuk konsiderohet një institucion me siguri të lartë, prandaj është parë e arsyshme që personat me profil të rrezikshëm të mos qëndrojnë më aty. Burimi bëri me dije se këto masa janë të kufizuara vetëm për të tillë persona dhe nuk prekin zyrtarët e arrestuar në lidhje me arratisjen e Ndocit.

Altin Ndoci u arratis dje nga spitali i burgut, dhe deri tani, edhe pas më shumë se 24 orësh, ai ende nuk është kapur, pavarësisht kontrolleve të shumta dhe postoblloqeve të ngritura nga policia.

Ndërkohë, tetë persona janë arrestuar në lidhje me arratisjen e Ndocit:

Aulon Çuko – Kryeinfermieri
Desdemon Pazaj – Zëvendës shefi i policisë
Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela – Efektivë
Violeta Uka
Ndër ta, Fatjon Baçi është person nën hetim nga SPAK, pasi njihet edhe si polici që shoqëroi kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj, gjatë transportit nga paraburgimi i Durrësit në Apelin e GJKKO, ku do të njihej me masën e sigurisë.

Autoritetet vijojnë kontrollet intensive për kapjen e Altin Ndocit dhe për të garantuar sigurinë në burgje, ndërsa transferimet e personave me rrezik të lartë synojnë të parandalojnë ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Të fundit