Flash News

E-TJERA

Arratisja e shqiptarëve nga burgu, policia greke kontrolle në pikat kufitare

Arratisja e shqiptarëve nga burgu, policia greke kontrolle në pikat

Policia greke është vënë në alarm pas arratisjes së dy të dënuarve shqiptarë mbrëmjen e së enjtes. Të arratisurit, Lefter Toçi dhe Romeo Qosja, të dy 41 vjeç, ishin të dënuar për një sërë krimesh të rënda, përfshirë vjedhje, tentativë vrasjeje, zjarrvënie dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Dy shqiptarët, të cilët po vuanin dënime të rënda, përfshirë edhe dënime të përjetshme, mbaheshin që prej vitit 2019 në Burgjet Rurale, një sistem që lejon më shumë liri për të burgosurit për shkak të sjelljes së tyre të mirë. Megjithatë, natyra e këtyre burgjeve dhe mungesa e rrethimit duket se ka lehtësuar arratisjen e tyre.

Arratisja është zbuluar në orën 21:00 të së enjtes, ndërsa kontrollet e kufizuara dhe siguria e ulët janë cilësuar si faktorë që kanë ndihmuar të dënuarit të realizojnë planin e tyre. Të dy personat kishin përfituar më herët një pushim pesë-ditor në vitin 2024 dhe duket se kanë shfrytëzuar mungesën e mbikëqyrjes për të planifikuar arratisjen.

Policia greke ka intensifikuar kërkimet, duke përfshirë forcat speciale dhe ekipet e zbulimit. Vëmendja kryesore është kthyer drejt kufijve, pasi dyshohet se të arratisurit mund të jenë larguar nga territori grek ose po përpiqen të kalojnë në një vend tjetër.

Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në Burgjet Rurale dhe efektivitetin e masave të sigurisë për të burgosurit me precedentë të rrezikshëm. Autoritetet po vazhdojnë kërkimet dhe hetimet për gjetjen e tyre dhe për të zbardhur detajet e arratisjes.

Të fundit