Flash News

E-TJERA

Arrestimi i Goros, SPAK zbardh akuzat: Si tjetërsoi pronën e shtetit në favor të privatit duke falsifikuar dokumentet

Arrestimi i Goros, SPAK zbardh akuzat: Si tjetërsoi pronën e shtetit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me njoftim zyrtar për arrestimin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro.

SPAK njofton se ndaj Goros është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, 2 herë.

Po ashtu, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” edhe për S.M.,  si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”.

SPAK ka vendosur edhe masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për personin nën hetim J.B., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim;

  • caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për personin nën hetim B.A., me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
  • caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për personin nën hetim V.GJ., me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera nga SPAK, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, Jorgo Goro në  cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës për të cilën hetohet. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim B.A. dhe V.GJ.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të. Ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim S.M. Aktualisht kjo sipërfaqe tokë bujqësore rezulton e sekuestruar  me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Goro në një episod tjetër objekt hetimi i të njëjtit procedim penal, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës penale. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasi nën hetim ka tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe  më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e  cila rezulton të ketë shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e  pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi të dyja sipërfaqet në fjalë të cilat janë kufitare (10.592 m2). Në këto rrethana shtetasit J.G. dhe J.B, dyshohen për kyerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.

"Ndërsa shtetasit B.A. dhe V.GJ, përkatësisht Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes) dhe Jurist pranë kësaj drejtorie (në kohën e ngjarjes), me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë pranuar dokumentacionin ligjor, përpunuar këtë të fundit dhe lëshuar një vërtetim nga dokumentat hipotekorë, pa kryer asnjë verifikim ligjor apo në terren nga ato që ligji i detyron, duke kryer në këtë mënyrë regjistrimin fillestar të një pasurie të paluajtshme në pronësi shtet, të llojit tokë buqësore, me sipërfaqe 5512 m2, në favor të shtetasit F.M.  dhe më pas të trashëgimtarëve të tij. Kjo pasuri, siç ka rezultuar nga hetimi paraprak deri në këtë fazë, buron nga dokumenta tërësisht të falsifikuara. Në lidhje me këto veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të kryera në bashkëpunim, këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

Në lidhje me shtetasin tjetër nën hetim S.M., nga hetimi deri në këtë fazë,  ka rezultuar se ky i fundit, ka përdorur më shumë se një herë, pranë disa institucioneve por edhe organeve proceduese, dokumenta dhe formularë të  falsifikuar, veprime këto që më pas kanë sjellë edhe regjistrimin fillestar në emër të F.M. (trashëgimlënës) të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5512 m2, ndodhur në Dhërmi, Vlorë. Pas regjistrimit të pasurisë në emër të  trashëgimtarëve, mes të cilëve dhe shtetasit nën hetim, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues shtetasin A.G., duke sjellë njëkohësisht edhe përfitim material të padrejtë për shtetasin nën hetim S.M. Në këto kushte, dyshohet se ky i fundit ka konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni  186/2  i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodi Penal", thuhet në njoftimin e SPAK.

Të fundit