Flash News

E-TJERA

Arrestohen shefi i Policisë në Velipojë dhe tre efektivë, favorizuan kultivimin e kanabisit

Arrestohen shefi i Policisë në Velipojë dhe tre efektivë,
Foto Ilustruese

Shefi i Policisë në Velipojë dhe tre efektivë të tjerë, përkatësisht dy me detyrë Inspektor dhe një me detyrë Nënkomisar, janë vënë në pranga.

Sipas njoftimit të AMP-së, katër të arrestuarit dyshohet se kanë favorizuar kultivimin e bimëve narkotike në zona që kanë pasur mundësi t’i mbikëqyrnin. Katër të arrestuarit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria Rajonale e AMP-së Shkodër-Lezhë në bashkëpunim të ngushtë me drejtuesit e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër ka referuar materialet proceduriale për 4 punonjës policie, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Pas hetimeve me metoda speciale të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 869 të vitit 2022, u arrit që në një kohë të shkurtër të dokumentohej veprimtaria e kundraligjshme e drejtuesve të Stacionit të Policisë Velipojë.

AMP ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit për punonjësit e policisë:

– N/Komisar Z. S., 40 vjeç, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë;

– N/Komisar A. H., 45 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë;

– Inspektor E. L., 34 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë;

– Inspektor H. B., 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë.

Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, si persona me fushë përgjegjësie direkte, këta punonjës dyshohet se kanë favorizuar kultivimin e sasive të konsiderueshme të bimëve narkotike në zona që kanë pasur mundësi të mbikëqyren e kontrollohen në kuadër edhe të Planit të Veprimit dhe Planit Operacional të DVP-së. Materialet proceduriale i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

 

Të fundit