Flash News

E-TJERA

Artan Fuga rendit 5 arsyet: Krerët e partive të aleancës opozitare nuk duhet të ishin në një listë me PD-në

Artan Fuga rendit 5 arsyet: Krerët e partive të aleancës

Akademiku Artan Fuga shprehet se krerët e partive aleate si Fatmir Mediu, Agron Duka, Shpëtim Idrizi, Nard Ndoka, Vangjel Dule nuk duhet të ishin futur në zgjedhjet e 25 prillit në një listë të përbashkët me Partinë Demokratike.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Fuga renditet 5 arsye pse ata nuk duhet të ishin në një listë me PD-në. Ai shprehet se një pjesë e aleatëve kanë qenë ministra më parë dhe vendosja në një listë krijoi imazhin që opozita po vinte me të njejtat personazhe të 30 vjetëve të fundit.

Së dyti ai shprehet se krerët e disa partive aleate të PD-së kanë ideologji dhe strategji politike krejt të ndryshme dhe u krijua ideja se i bashkonte interesimi për pushtet por jo platformat politike dhe ideologjike që elektorati priste. Së treti, Fuga rendit si arsye se krerët e partive aleate zunë vendet në listën e PD-së dhe kështu nuk pati vend për figura qytetare ose figura të reja pranë partisë demokratike qe mund të kishin tërhequr pjesën pasive.

Së katërti, ai shprehet se nëse partitë e tjera opozitare do të kishin dalë me një listë më vete, krerët dhe elektorati i tyre do të ishin bërë shumë më aktivë. Dhe së pesti, Fuga shkruan se nuk kishte asnjë arsye që të besohej se në rang vendi dalja e partive të tjera opozitare në një listë më vete do të penalizonte më shumë kandidatët e partisë demokratike.

Reagimi i plotë:

U gabua në listën e përbashkët të kandidatëve opozitarë?
----------------------------
Lidhur me paraqitjen e opozitës në zgjedhje ka vend të shihet me sy, nuk desha të them kritik, por analitik sigurisht.
A duheshin vendosur krerët e partive të aleancës opozitare në listat e kandidatëve të partisë demokratike apo jo?
Unë them : Jo, nuk duhej vepruar kështu, sado është e papranueshme ajo që ndodhi kur kodi zgjedhor dëmtoi aleancat parazgjedhore midis partive. Por, duhej luftuar në atë kohë, jo të kalohej aq lehtësisht.
Ndërkohë ka vend të shihet se çfarë i sollën partisë demokratike kryetarët e partive të tjera dhe çfarë mund të sillnin më shumë ata?
Vendosja e tyre në listat e partisë demokratike (le ta quajmë kështu operacionin) pati këto anë të dëmshme:
1. Një pjesë e tyre kanë pas qenë ministra më parë në qeveritë e partisë demokratike, dhe vendosja e tyre në listat e kandidatëve sidomos në Tiranë krijoi imazhin që opozita po vinte me të njejtat personazhe të 30 vjetëve të fundit.
2. Krerët e disa nga këto parti kanë ideologji dhe strategji politike krejt të ndryshme, pra e vështirë të pajtohet këndvështrimi dhe interesat politike që paraqet partia e Ndokës me partinë e Mehdiut, partia e Idrizi me partinë e Dules, etj. U krijua ideja se i bashkonte interesimi për pushtet por jo platformat politike dhe ideologjike që elektorati priste.
3. Vendet u zunë nga kryetarë ose përfaqësues të partive të tjera dhe kështu nuk pati vend për figura qytetare ose figura të reja pranë partisë demokratike qe mund të kishin tërhequr pjesën pasive, por shumë të rëndësishme të elektoratit. Kurse krerët e partive të tjera nuk mund ta kryenin këtë mision. Elektorati i tyre, gjithsesi shumë i vogël përsëri do të vinte drejt opozitës.
4. Nëse partitë e tjera opozitare do të kishin dalë me një listë më vete, jashtë pd dhe jashtë lsi, të gjitha bashkë, me një platformë për mbrojtjen e demokracisë, krerët dhe elektorati i tyre do të ishin bërë shumë më aktivë. Do të kishin dalë në media dhe fushata do të kishte pasur shumë më tepër larmi dhe gjallëri. Gjithsesi në elektorat do të krijohej ideja që gjithsekush do të marrë votat e veta dhe partia demokratike do të fitonte në dinjitet para elektoratit.
5. Nuk kishte asnjë arsye që të besohej se në rang vendi dalja e partive të tjera opozitare në një listë më vete do të penalizonte më shumë kandidatët e partisë demokratike. Aq më tepër që me një frymë kandidaturash të reja supozohej se do të krijohej një frymë tjetër. Kjo do të tërhiqte shumë më tepër figura jashtë politikës aktive.
Dikush mund të thotë se pati ndonjë kandidat nga të partive të tjera që fitoi një numur votash. Patjetër. Ato nuk do të humbnin, por do të ishin plus!
Unë mendoj se ky ishte një faktor difektoz në fushatë që u shkaktua nga fakti se nuk u gjykua pragmatikisht, as politikisht, por nga pikëpamja e konceptit tradicional shqiptar "kemi qenë bashkë", "të kemi mbështetur gjatë kësaj kohe", "jemi miq", si edhe nga ndonjë lloj rehatie e supozuar e administrimit të pushtetit nëse fitohej, ku me individë - politikanë të njohur më parë supozohej se nuk do të kishte të papritura.
Por, as kjo nuk është e sigurt tani!

Të fundit