Flash News

E-TJERA

“Asgjë e jashtëzakonshme”, pra fundi i metarrëfimeve

“Asgjë e jashtëzakonshme”, pra fundi i metarrëfimeve

Andreas Dushi

Shtëpia botuese “IDK”, me mbështetjen e Creative Europe ka botuar sëfundmi përmbledhjen me tregime “Asgjë e jashtëzakonshme” të Antonio Muñoz Molina, përkthyer mjeshtërisht nga Bashkim Shehu. Vetë autori, për tregimet e tija, shkruan mes të tjerash:

“Në tregimet, nuk e di pse, jam më humoristik dhe më i prirur ndaj fantastikes, dhe përherë bashkëkohor dhe realist. Çudi...”

Me rrugëtimin e një shkrimtari drejt një destinacioni ku do të jetë dëshmitar ngjarjesh të çuditshme fillon përmbledhja e plotë e prozës së shkurtër të Antonio Muñoz Molina-s... Tek “Asgjë e jashtëzakonshme” zbulohet një Antonio Muñoz Molina zbavitës, vetëkritik dhe i pazakontë. Një humor i mprehtë kullon përmes këtyre tregimeve tmerri, dashurie dhe vdekjeje, në të cilat shfaqja e papritur e skenave në stilin më të pastër të zhanrit fantastik ngërthen vetinë e mbajtjes pezull, të magjepsjes së lexuesit dhe të shumëfishimit të leximeve të rrëfimit.

Antonio Muñoz Molina (1956) është një ndër autorët më të njohur e më të përkthyer të letërsisë së sotme spanjolle. Autor i mëse dhjetë romanesh, ai është fitues i mjaft  prej çmimeve të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 2013, u shpall fitues i Çmimit të Princit të Asturias për Letërsinë. Në vitin 1996, Antonio Muñoz Molina u zgjodh anëtar i Akademisë Mbretërore të Spanjës. Jeton mes Madridit dhe Nju Jorkut. Ky është libri i tij i parë që përkthehet në shqip.

Të fundit