Flash News

E-TJERA

Asgjësohen rreth 530 bimë kanabisi në Kavajë, arrestohet faturisti i ujit

Asgjësohen rreth 530 bimë kanabisi në Kavajë, arrestohet

Një rast i kultivimit të bimëve narkotike është goditur nga policia në Kavajë, ku janë asgjësuar rreth 530 bimë cannabisi.

Në pranga ka përfunduar 61-vjeçari Idriz Boçi, i cili është faturisti i ujit, pasi sipas policisë bimët narkotike vaditeshin me një tub që ishte lidhur në mënyrë të paligjshme me linjën e ujit të pijshëm.

Ndërsa policia thekson se vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë

Vihet në pranga faturisti i ujit, i dyshuar i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike dhe për shpërdorim detyre.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë intensifikuar kontrollet në terren, duke u bazuar në inteligjencën policore.

Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Bardhorë, u gjetën të kultivuara 530 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Nga kontrolli në terren u konstatua se bimët narkotike vaditeshin me një tub që ishte lidhur në mënyrë të paligjshme me linjën e ujit të pishëm.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast, u arrestua shtetasi I. B., 61 vjeç, banues në Rrogozhinë, me detyrë faturist uji, pasi nuk ka raportuar për ndërhyrjen në tubacionet e ujit dhe dyshohet si bashkëpunëtor në kultivimin e bimëve narkotike.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

Të fundit