Flash News

E-TJERA

Automjetet me timon anglez do bllokohen nga policia, ndjekje penale për punonjësit që i kanë kaluar në kolaudim

Automjetet me timon anglez do bllokohen nga policia, ndjekje penale për
Foto Ilustruese

Të gjitha automjetet me timon anglez që qarkullojnë në Shqipëri, do të bllokohen nga policia. Drejtori i Transportit Rrugor Blendi Gonxhe u shpreh se të gjitha ato mjete që janë targuar pas Marsit të vitit 2015 dhe kanë ende sistem drejtimi në krahun e djathtë, do të bllokohen nga policia rrugore.

“Çdo targim bërë nga çfarëdolloj bakshishi apo shoku, apo është targuar pas 21 Marsit 2015 je targuar pas kësaj date dhe je ende në rrugë me timon anglez, je në shkelje flagrante të kodit rrugor. Makina bllokohet, futet në alert, futet në listën e zezë, nuk do kalojë dot kolaudimin. Të gjithë ata që vazhdojnë të abuzojnë në këtë mjet si në momentin e parë të targimit deri sot nëse i ofrojnë shërbim në mënyrë të paligjshme, janë subjekt i kallëzimit për ndjekje penale”, u shpreh Gonxhe

Nga ana tjetër, penalizime derri në ndjekje penale do të ketë edhe për ata punonjës të cilët janë kaluar makina me timon anglez në kolaudim. Gonxhe u shpreh se vetëm në një javë është njoftuar largimi i 10 punonjësve.

“Tashmë vetëm në muajt e parë të kolaudimit  ne kemi kapur shumë  raste. Vetëm javën e shkuar ne kemi njoftuar për largim nga detyra 10 punonjës të DPSHTRR të cilët në vite të ndryshme kanë abuzuar me mjetet të cilat sot janë në rrugë me timon anglez në kundërshtim të hapur me ligjin. Këta njerëz do humbin vendin e punës, do përballen me organet e drejtësisë. Auditi po punon me evidentimin e këtyre mjeteve”, tha ai.

Por çfarë duhet të bëjë një qytetar i cili ka një automjet të tillë në qarkullim?

“Duhet të ndërrojnë krahun e timonit, duhet të përputhen me kriteret dhe  normat, ligjit të kodit rrugor. Të bëjnë ndryshime konstruktive, të aplikojnë për ndryshime konstruktive”, përfundoi Gonxhe.

Që prej marsit të vitit 2015, sipas ligjit për Kodin Rrugor, në Shqipëri nuk lejohet importi i automjeteve me timon anglez dhe as qarkullimi i tyre në vend.

Të fundit