Flash News

E-TJERA

"Të merren masa urgjente"/ Raporti i KE për spitalet e burgjeve: Pacientët flinin mbi 'shkumë deti', s'ka staf dhe mjete

"Të merren masa urgjente"/ Raporti i KE për spitalet e

Këshilli Europian ngre si shqetësim serioz gjendjen e spitaleve të burgjeve në Shqipëri. Në një raport të publikuar së fundmi, thuhet se ka një mungesë të theksuar të infrastrukurës, ndërsa theksohet se nuk ngjasojnë aspak si spitale.

“KPT dëshiron të theksojë edhe një herë se spitali i burgut vuan nga mangësi të mëdha strukturore. Jo vetëm që duket si një burg dhe jo një spital, por i mungon edhe infrastruktura e nevojshme”, thuhet në raport.

Një fakt që nënvizohet është se pavarësisht shqetësimeve që janë ngritur vazhdimisht nga institucion, mënyra se si trajtohen të dënuarit me probleme psikologjike, lë për të dëshiruar.

Në raport evidentohet se ata nuk monitoroheshin nga stafi, për t’i qetësuar përdoreshin mjete të papërshtatshme. Pacientët e dënuar i janë ankuar delegacionit që përgatiti raportin për mungesën e komunikimit me familjarët e tyre gjatë kohës së pandemisë.

Një tjetër problematike e evidentuar është edhe mbipopullimi i burgjeve. Qelitë nuk plotësojnë standardet thelbësore, thuhet në raport.

“Disa prej qelive ishin të mobiluara vetëm me krevate ose me krevate dhe një tavolinë plastike dhe një ose dy stola plastike. Kështu që pacientët detyroheshin të ruanin sendet e tyre personale në kuti nën shtrat.

Më tej, disa pacientë kishin vetëm një copë shkumë si dyshek dhe shtrat jo të plotë. Familjarët duhet të blejnë produkte bazë të higjienës personale. Sipas stafit, vetëm pacientët pa mbështetje familjare do të pajisen me produkte higjienike pa pagesë. KPT rekomandon që autoritetet shqiptare të ndërmarrin hapa të menjëhershëm në spitalin e burgut për të siguruar që të gjithë pacientët të kenë dyshek të pastër dhe shtrat të pastër, produktet bazë të higjienës personale të jenë pa pagesë.

Është për të ardhur keq që oborri i jashtëm, i cili ishte shumë i zymtë me një dysheme betoni të rrethuar me mure të larta, nuk kishte asnjë strehë kundër motit të keq. Duhet të ndërmerren hapa për të korrigjuar këtë mangësi”, thuhet në raport.

KPT i bën thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masa të menjëhershme dhe të krijojnë kushtet e nevojshme për të dënuarit me probleme mendore.

Gjithashtu evidenton se situata është emergjente në burgun e Lezhës. Këshilli nënvizon se duhet shtuar stafi i specializuar dhe se duhet hartuar një plan trajtimi për çdo pacient. Sipas tij, të dënuarit me probleme duhet t’u lejohen aktivitetet në natyrë dhe të kenë akses në radio dhe televizor.

 

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit