Flash News

E-TJERA

Avokatët e Korçës kundër hartës së re gjyqësore, paralajmërojnë bojkot: Nuk i shërben popullit

Avokatët e Korçës kundër hartës së re

Ka kaluar një ditë nga prezantimi i hartës së re gjyqësore dhe kanë ardhur kundërshtimet e para. Është Dhoma Vendore e Avokatëve të Korçës, që kundërshton propozimin e hartë së re, e cila ‘shkrin’ një pjesë të mirë të gjykatave dhe redukton numrin e gjyqtarëve.

Kreu i DHVA-së në Korçë, Arben Lena, në një deklaratë për mediet, tha se skema e propozuar dhe e miratuar si nga KLGJ-ja ashtu edhe nga Ministria e Drejtësisë, nuk do t’i shërbejë popullit.

“Kemi një skemë që unë nuk e din se kujt do i shërbejë por sigurisht që nuk do i shërbejë popullit, marrjes së drejtësisë efikase nga populli. Është e pamundur që sistemi i drejtësisë të funksionojë me këtë skemë, me këtë mënyrë organizimi gjykatash pavarësisht se cilat janë qëllimet e krijimit të këtij drafti por është një skemë që shumë shpejt do bjerë në kolaps. Pretendohet që shërbimet, përfshirë edhe ato të drejtësisë, të jenë sa më afër qytetarit dhe ai postulati "Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar" në qoftë se deri tani e kemi pasur në raste të pakta, besoj që tani kjo drejtësi e vonuar do jetë mëse evidente dhe e prekshme gjithandej”, deklaroi Lena.

Ndër të tjera, ai shtoi se edhe kolegët e tij janë shprehur të indinjuar lidhur me propozimin e hartës së re gjyqësore, duke paralajmëruar masa drastike deri në bojkot.

“Ashtu siç e përmendi edhe drejtuesja e KLGJ dje, sistemi gjyqësor dhe gjykatat janë në minimumin e kapacitetit të tyre. Dje vetë kryetarja e KLGJ solli si shembull Gjykatën Administrative të Apelit në të cilën një gjyqtar ka 3000 dosje. Me një llogari të thjeshtë, ditë pune efektive janë 220. Në rastin më të mirë që një gjyqtar të lexojë një dosje, të arsyetojë vendimin dhe të japë një vendim të drejtë i duhet minimumi 1 ditë. Atëherë brenda një viti një gjyqtar duke mos i vajtur dosje të tjera përfundon 220 dosje. 3000 dosje një gjyqtari të Apelit i duhen 15 vite që ti përfundojë. Aksesi i qytetarëve në drejtësi është pothuajse i pamundur dhe jo efektiv dhe kjo skemë po i zhyt akoma më keq në një joefektivitet të plotë. Dje kam patur kontakte me kolegë të mi, dhe kemi shprehur të gjithë indinjatën tonë në lidhje me ketë problem dhe me sa jam informuar nga kryetari i Dhomës së Avokatisë Haxhiaj është hedhur ideja e një bojkoti të cilin ne e kemi bërë edhe herë të tjera kur ka qenë puna edhe me skemat e sigurimit dhe detyrimin e caktimit të një page minimale jonormale për avokat. Në muajin janar në varësi të përgjigjes mund të marrim edhe masa të reja në lidhje me këtë problem që po zhvillohet”, shtoi ktreu i DHVA-së në Korçë.

Të fundit