Flash News

E-TJERA

Avokatët e Veliajt kërkesë SPAK-ut: 10 ditë s’na mjaftojnë për të lexuar dosjen, zgjateni afatin

Avokatët e Veliajt kërkesë SPAK-ut: 10 ditë s’na

Avokatët e Erion Veliajt i janë drejtuar me një kërkesë SPAK-ut, ku i kërkojnë zgjatjen deri më datë 24 shtator të aftit për njohjen me përmbajtjen e plotë të akteve dhe provave mbi të cilat ngrihet akuzat ndaj kryebashkiakut.

Nisur nga volumi i madh i materialeve hetimore, avokatët e Veliajt thonë se ndodhen në pamundësi objektive për t’u njohur në mënyrë efektive me përmbajtjen e plotë të provave dhe akteve brenda 10 ditëve, ashtu siç e parashikon ligji, në mënyrë që më pas ata të japin kundërshtimet e tyre.

Në kërkesën e tyre drejtuar SPAK, avokatët e Veliajt thonë se 10 ditë nuk janë të mjaftueshme për të kryer një lexim të thjeshtë, pa analizë profesionale apo përpunim juridik i të gjitha materialeve.

Nisur edhe në periudhën ku ndodhemi, avokatët shprehen se muaji gusht është periudhë e reduktuar pune për organet e drejtësisë, përfshirë gjykatat, prokuroritë dhe avokatët.

Sipas tyre, kjo e bën praktikisht të pamundur përgatitjen e një mbrojtjeje efektive dhe të barabartë, ashtu siç garantohet nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkon që të pandehurit të kenë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për t’u mbrojtur”, thuhet në kërkesë.

Avokatët e Veliajt theksojnë se “ky disproporcion mes afatit procedural dhe volumit të materialeve është një cenim thelbësor i të drejtës për mbrojtje efektive dhe për proces të rregullt ligjor, që e zhvlerëson të gjithë garancinë procedurale që Kodi i Procedurës Penale dhe Konventa synojnë të mbrojnë.

 Kjo lloj “përmbytjeje dokumentare” është një formë abuzimi strukturor me të drejtën e mbrojtjes, që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka konsideruar të papranueshme në disa vendime, kur volumi i materialeve i bën të pavlefshme në praktikë garancitë procedurale që duken formalisht të respektuara”.

Të fundit