Flash News

E-TJERA

Avokati Altin Goxhaj u rrëmbye? Sqaron policia: E shoqëruam në komisariat se na ofendoi

Avokati Altin Goxhaj u rrëmbye? Sqaron policia: E shoqëruam në

Avokati Altin Goxhaj u shoqërua në komisariat mbrëmjen e së martës, një ngjarje që fillimisht shkaktoi alarm dhe aludime për rrëmbim. Megjithatë, Policia e Shtetit ka sqaruar se Goxhaj u ndalua pas një konfrontimi ku ai akuzohet se ka ofenduar dhe kundërshtuar efektivët gjatë kryerjes së detyrës.

Lajmi fillestar u përhap nga ambientalisti Sazan Guri, i cili në një postim shprehu shqetësimin se Goxhaj ishte "arrestuar nga një grup në emër të policisë, por pa uniformë". 

“Lajm i kobshem! Thone qe avokati dhe zeri i forte e kritik i qeverise Altin Goxhaj eshte arrestuar nga nje grup ne emer te policise, por pa uniforme policie, dhe askush nga komisiaratet nuk te thote nje fjale?!!?”, shkriu fillimisht Sazan Guri.

 Duke iu përgjigjur këtyre pretendimeve, Policia e Shtetit doli me një njoftim zyrtar ku shpjegoi kronologjinë e ngjarjes.

Sipas policisë, incidenti ndodhi rreth orës 20:00 në "rrugën Kavajës”, kur Goxhaj filloi të ofendojë punonjësit. Për këtë arsye, ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit Nr. 2, ku sipas policisë, vazhdoi të shfaqte rezistencë.

“Më datë 16.04.2026, rreth orës 20:00, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 2, duke patrulluar në rrugën “Kavajës”, ka ndaluar për të marrë masa ndaj drejtuesve të automjeteve të parkuara në korsinë e dedikuar.

Në kohën kur punonjësit e Policisë ishin duke kryer detyrën, një automjet taksi është parkuar mbrapa makinës së Policisë.

Punonjësit e Policisë i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të automjetit të vijojë lëvizjen, por nga mjeti taksi, që drejtohej nga shtetasi A. B., 26 vjeç, doli shtetasi A. G., 56 vjeç (avokat), i cili ka filluar të ofendojë dhe, së bashku me drejtuesin e automjetit, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë që ishin duke kryer detyrën, për të vijuar lëvizjen.

Në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shtetasin A. G., i cili edhe gjatë shoqërimit ka vijuar të kundërshtojë punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, shtetasi A. G., u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.– ka sqaruar policia.

Të fundit