Flash News

E-TJERA

Babai i Luis Meçes pas incidentit me prokuroren: Dikush po ndërhyn të mos zbardhet vr*sja e Martinit

Babai i Luis Meçes pas incidentit me prokuroren: Dikush po ndërhyn

Babai i Luis Meçes ka folur pas incidentit që ndodhi sot në gjykatë, ku prokuroria e çështjes e përjashtoi nga seanca.

Për Euronews Albania, ai shpjegoi se si ndodhi debati me prokuroren Alma Felaj, e cila pretendonte se Martini dhe Luisi kishin komunikuar në celular ditën e diel duke u shprehur se “mbase prindërit kanë qenë në gjumë dhe nuk dinë për bisedat”.

Babai i Luisit, djalit i i cili mbeti i plagosur, tregoi se djemtë kishin ardhur me të me makinë pas ndeshjes së futbollit që kishin luajtur në Kavajë dhe më pas Luisi kishte fjetur që në orën 9 dhe nuk kishte pasur biseda përmes telefonit.

“I thashë zonjës prokurore se djemtë kanë ardhur me mua nga Kavaja dhe nuk kanë qenë vetëm. Luisi ka fjetur që në orën 9. Ajo më tha ti nuk e di se çfarë kanë folur ata në darkë. Pretendimi i prokurores ishte që Martini dhe Luisi kanë biseduar të dielën në darkë për tu organizuar për takimin  e së hënës me Marion. Aty reagova dhe i thashë se djemtë nuk kanë folur në darkë, ndërsa ajo më tha që ti nuk di se ke fjetur. U revoltova dhe i thashë: ‘Më fal, por ti nuk mund të më ofendosh mua në këtë mënyrë, sepse je pikërisht ti që ke fjetur mbi dosje për 6 muaj, ndërsa ne po na digjet shpirti për ata fëmijë’. Ditën e dielë ata nuk kanë komunikuar në darkë, kanë qenë në Kavajë, kanë pasur ndeshje futbolli dhe i kam sjellë në Tiranë, kanë qenë me mua”, tha babai i Luisit.

Ai theksoi gjithashtu se ka pasur disa elementë gjatë seancës që e bënin të mendonte se duan që të mos e zbardhnin çështjen, ndërsa sipas tij prokuroria u nxeh dhe e nxorri jashtë.

Kujtojmë se këtë të enjte u zhvillua seanca gjyqësore në Gjykatën e Tiranës për vrasjen e të miturit Martin Cani, i cili dyshohet se u vra nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj, pranë shkollës “Fan Noli”.

Gjatë seancës së sotme pesë të mitur janë marrë në pyetje si dëshmitarë, dhe në seancë kanë qenë të pranishëm prindërit dhe një psikologe.

Seanca e radhës është caktuar për 28 maj, ku do të pyeten edhe 8 dëshmitarë të tjerë, të mitur që kanë dijeni për ngjarjen.

Kujtojmë se 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar i tij pranë shkollës “Fan Noli”.

 

Të fundit