Flash News

E-TJERA

Balluku nën hetim, Tela: Provat e reja mund të çojnë në kërkesë të dytë për imunitetin

Balluku nën hetim, Tela: Provat e reja mund të çojnë

Gazetari Andi Tela ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me hetimet ndaj deputetes socialiste dhe ish ministres Belinda Balluku.

I ftuar në Syri tv, ai tha se që nga 12 marsi, kur SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të Ballukut dhe kjo nuk u miratua nga mazhoranca, institucioni i drejtësisë ndodhet përballë një sfide të qartë për të provuar akuza më të forta.

Tela u shpreh se, hapi i radhës pritet të jetë sërish në Kuvend, në rast se SPAK paraqet akuza më të rënda si korrupsion apo pastrim parash, të cilat mund të justifikojnë një kërkesë të re për heqjen e imunitetit.

‘Që nga pasditja e 12 marsit, SPAK-u është i sfiduar nga mazhoranca. Kërkoi heqjen e imunitetit të deputetes Balluku, nuk ia dha mazhoranca. Mbi të gjitha me arsyetimin se për një akuzë për tenderat, nuk mund t'i jepte imunitetin për të kaluar te arresti.

SPAK-ut i duhet tash të demonstrojë që ka prova të tjera, ka akuza më të rënda, për të kërkuar atë që kërkoi në 12 mars dhe nuk ju dha imunitetin e ish-zëvendëskryeministres. Nga ai moment e deri më sot kanë rrjedhur shumë ditë, shumë ujëra dhe SPAK-u dhe BKH-ja kanë bërë veprimet e tyre, të cilat publikut i janë dhënë vetëm me dy njoftime.

Njoftimi i parë kishte të bënte me kontrollin e disa biznesmenëve që kishin qenë pjesë e tenderat të fituar, dhe nga ai moment ata arritën të merrnin disa aparate celularë, kompjutera, të dhëna të tjera, të cilat gjatë kësaj periudhe janë zbardhur. Dhe sipas informacioneve që vijnë nga SPAK-u, ka materiale të mjaftueshme për të vijuar hetimet në përmasa më të thella sesa ato të mëparshmet.

Sot ne vijmë në veprime të tjera që kanë të bëjnë me kontrollet në rrethin e ngushtë familjar të ish-zëvendëskryeministres. Siç e tha edhe Romir pak më parë, nuk është se BKH-ja, agjentët e BKH-së shkojnë në shtëpi dhe thonë, ku i ke telefonin dhe kompjuterin t'i marrim dhe të presim se çfarë do gjejmë aty.

Ata e dinë se çfarë ka ndodhur. Thjesht u duhen materiale, letra, dokumenta, kontrata. Pra, provat e indiceve që ata i kanë. Dhe pritet të shohim se si do jenë të dhënat e mëtejshme të hetimit, në raport me ato kontrolle që kanë bërë sot deri në ora 12:00 të drekës.

Hapi i mëtejshëm është te parlamenti. Pikëpyetja është, gjatë gjithë kësaj periudhe që deputetja Balluku ka qenë e lirë, çfarë ka bërë? Sepse ne do ta donim në këtë periudhë të ishte në arrest shtëpie dhe SPAK-u dhe BKH-ja të ishin më e lirë të vepronin sipas indiceve dhe llogarive të tyre.

Çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe? Dhe nëse do vijmë te një akuzë më e rëndë që mund të jetë korrupsioni dhe pastrimi i parave, mund ta kërkojmë imunitetin në parlament dhe mund të jepet në këtë rast, sepse akuza është e tillë që nuk mund të refuzohet dot. Problemi është se sa mund të jenë prishur provat gjatë kësaj periudhe. Pra, çfarë ka bërë zëvendëskryeministrja apo njerëzit e saj për të eliminuar prova që do ishin të rëndësishme për hetimet e SPAK-ut.

E pamë edhe te dosja e AKSHI-t që akuzat e SPAK-ut, edhe për zonjën Karçanaj dhe për të tjerët që kishin të bënin me sekuestrime pasurish. Ne pamë që në total prapë ajo në një shtëpi me qera jetonte. Pavarësisht se SPAK-u kishte arritur të gjente tre shtëpi të sajat, të dhëna nga biznesmenët apo nga Agasi në përfitim, por SPAK-u më tej duhet ta vërtetojë që janë realisht të sajat.

Në këtë kuptim, edhe lëvizja e parave të zonjës Balluku apo gjithçka tjetër që ajo mund të ketë bërë, duhet të jetë e provuar nga SPAK-u. Duhen gjetur dokumentet që provojnë një akuzë të mëtejshme për korrupsion apo pastrim parash’, u shpreh Tela. 

Të fundit