Flash News

E-TJERA

Balluku sot e pandehur, SPAK konfirmon kallëzimin e PD: Si u fry me 30 milionë euro tenderi i Tunelit të Llogarasë

Balluku sot e pandehur, SPAK konfirmon kallëzimin e PD: Si u fry me 30

E thirrur në SPAK, Belinda Balluku u njoh sot zyrtarisht me akuzën e ngritur nga Prokuroria e Posaçme, për shkelje të barazisë në tendera lidhur me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

“Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Për mediat, Balluku nuk foli shumë as kur u paraqit në ambientet e SPAk, e as kur doli. Madje, kur u pyet nëse SPAK i kishte komunikuar statusin e të pandehurës, numri 2 i qeverisë u largua me nënqeshje dhe shtyu mikrofonët e gazetarëve.

Marrja e Ballukut si e pandehur konfirmon denoncimet dhe kallëzimet e bëra nga Partia Demokratike. Deputeti demokrat Belind Këlliçi, në një postim në Facebook, shkruan se Balluku nuk duhet të qëndrojë më në zyrën e uzurpuar.

“Kjo akuzë vetëm sa i konfirmon denoncimet publike të Partisë Demokratike për figurën numër 2 të qeverisë në pushtet, gruan me më shumë pushtet pas Edi Ramës dhe njëkohësisht të dytën më të korruptuar në Shqipëri pas Edi Ramës!

Edi Rama është në kushtet kur ka një ish kryebashkiak të Tiranës në burg dhe tashmë zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë të marrë të pandehur nga SPAK! Ai nuk ka më asnjë justifikim moral, politik apo ligjor për të mbajtur të uzurpuar zyrën e kryeministrit”, shkruan Këlliçi.

Në kallëzimin e bërë në gusht të vitit 2024, Partia Demokratike rendiste 10 fakte që provonin akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, të cilën sot e komunikoi SPAK.

PD, asokohe, deklaronte se Ministria e Infrasturkturës dhe Energjetikës nën drejtimin e Ballukut, shpalli tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, fillimisht me vlerë 140 milionë euro në vitin 2021.

Dhe në vitin 2022, tenderi u rishpall në vlerë 170 milionë euro, pra me një diferencë prej 30 milionë eurosh.

“Në datën 14.12.2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur tenderin me objekt ‘Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë’. Në këtë procedurë paraqiti ofertë shoqëria ‘Gjoka Konstruksion’ sh.a., me vlerë rreth 140 milionë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vendosi anullimin e tenderit dhe ‘çuditërisht’ shoqëria ‘Gjoka Konstruksion’ sh.a. e skualifikuar nga gara nuk bën ankim ndaj vendimit të skualifikimit nga procedura e prokurimit....

Në datën 24.06.2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rishpalli tenderin me të njëjtin objekt. Në këtë garë morën pjesë pesë operatorë ekonomikë, nga ku rezulton se 4 operatorë u skualifikuan dhe vetëm Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë (BOE) INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK dhe ASL INSAAT TAAHHUT u kualifikua dhe u shpall fitues në datën 08.10.2021, me ofertë rreth 170 milionë euro.Shoqëria ‘Gjoka Konstruksion’ sh.a., nuk ka marrë pjesë në garë, ndërkohë që oferta fituese është 30 milion euro më shumë se oferta që kishte paraqitur shoqëria ‘Gjoka Konstruksion’ sh.a. në procedurën e parë”, thuhej në kallëzimin e PD.

Të fundit