Flash News

E-TJERA

Banorët që preken nga “Unaza e Madhe” protestë para ARRSH, nuk pranojnë banesa sociale

Banorët që preken nga “Unaza e Madhe” protestë para

 

Banorët e Laprakës, Paskuqanit dhe Babrrusë, të cilat preken nga projekti i Unazës së Madhe, kanë dalë në protestë sot pra Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Ata kanë kërkuar nga ARRSH të ndalen shembjet e banesave dhe punimet në zonë. Banorët e kanë cilësuar projektin në fjalë si një krim, teksa kanë bërë thirrje mos të strehohen në banesa me qira.

“Çfarë përfaqëson ky krim, kush fshihet pas tij? Duam të dimë kush fshihet pas këtij krimi? Të shkojë aksi në vend, të shpëtojnë njerëzit. Na thonë se do shkojmë në shtëpi me qira, po dilni në gjithë Tiranën, po gjetët shtëpi me qira. Më mirë na regjistroni si ushtarë për atje në Ukrainë, dhe e mbyllim këtë”, tha njëri nga banorët.

Ndërkohë, një punonjës pranë ARRSH në sektorin e shpronësimeve, iu sqaroi banorëve se asnjë nuk do të cenohet pa përfunduar procesi i vlerësimit të pasurive. Sipas tij, detyra e ARRSH është të kontrollojë dhe ndjekë punën në terren, dhe të marrë masa ndajkontraktorëve kur ka shkelje.

“Asnjë objekt nuk do të cenohet, deri në momentin e përfundimit të trajtimit të çdo pronari pasurie. Kjo është e sigurt, sepse nuk ka ndodhur në asnjë projekt. Nëse ka një banor, se është cenuar, ka gjithë të drejtën ligjore të vijë të ankohet. Ne si subjekt që ndjekim punën në terren, marrim masa ndaj kontraktorëve, por nuk besoj ta bëjë ndonjë kontraktor këtë. Deri në momentin e trajtimit sipas ligjit të pronarëve, nuk ka për t’u cenuar askush, sepse do merren të gjitha masat për t’u trajtuar të gjithë. Unë kam për detyrë t’iu sqaroj për ligjin e shpronësimit, për të tjerat bëni një kërkesë me shkrim. Unë kaq e kam përgjegjësinë time. Unë jam sektori për shpronësime, mirupafshim”, u shpreh punëtori pranë ARRSH.

Banorët kanë paralajmëruar përshkallëzim deri në grevë urie duke u shprehur kundër banesave sociale.

“Ne morëm një përgjigje pa përgjigje. Kemi informacion se këtë javë pritet të dalë një VKM për të dhënë një përgjigje se si do të trajtohen banesat. Ka devijim në projekt dhe më e turpshmja është se ministrja thotë se nuk ka devijim. Do kemi hapa ekstrem, por demokratik, nëse nuk merren parasysh kërkesat tona. Mund të ngrihemi në grevë urie, ndoshta dhe në protestë për vendimet e paligjshme që po merren ndaj nesh. Banesa sociale askush s’do të pranojë”, tha një tjetër banor.

Të fundit