Flash News

E-TJERA

Baronesha italiane i lë pasurinë kujdestares shqiptare, nipërit revoltohen: E manipuloi!

Baronesha italiane i lë pasurinë kujdestares shqiptare, nipërit

Trashëgimia e baroneshës italiane Anna Malfatti, e cila ndërroi jetë në vitin 2023 në moshën 87-vjeçare, ka ndezur një përplasje të ashpër gjyqësore mes tetë nipërve të saj dhe kujdestares shqiptare 44-vjeçare, të cilës baronesha i la gjithë pasurinë. Testamentin, i hartuar në mars të vitit 2022, ajo e shpalli kujdestaren trashëgimtaren e vetme të një pasurie që përfshin rreth një milion euro në para të gatshme dhe gjashtë apartamente, me vlerë totale afro pesë milionë euro.

Dy procese paralele: civil dhe penal

Të afërmit e baroneshës, të përfaqësuar nga avokati Claudio Malfer, kanë vënë në dyshim vlefshmërinë e testamentit dhe kanë nisur një proces civil për anulimin e tij. Njëkohësisht, ata kanë paraqitur edhe një kallëzim penal kundër kujdestares, duke e akuzuar për mashtrim dhe manipulim të një personi të paaftë.

Sipas Prokurorisë së Roveretos, gruaja shqiptare ka përfituar nga gjendja mendore e rënduar e baroneshës, duke e bindur atë të ndryshojë testamentin në favor të saj dhe më pas të firmoste një prokurë të përgjithshme, që i jepte kontroll mbi pasurinë.

Mbrojtja: Video, dëshmitarë dhe akuzat për racizëm të nënkuptuar

Avokati mbrojtës i kujdestares, Nicola Canestrini, i ka cilësuar akuzat si të pabazuara dhe ka theksuar se klientja e tij nuk e ka pranuar ende trashëgiminë, pikërisht për të mos u përfshirë në polemika pa u sqaruar ligjërisht situata.

Ai ka sjellë në vëmendje një video të regjistruar përpara noterit më 21 mars 2022, ku baronesha dëgjohet duke përmendur vetë dhe me qartësi emrin e kujdestares, duke treguar se ishte e vetëdijshme për vendimin që po merrte. Canestrini ka shtuar se dëshmitarë të shumtë janë vetëofruar për të dëshmuar në favor të klientës së tij, përfshirë miq të afërt të baroneshës dhe pronarë dyqanesh që ajo frekuentonte.

Mbrojtja ka ngritur gjithashtu shqetësimin për paragjykime të mundshme raciste në proces, duke thënë se “tradita familjare” që përmendet nga pala kundërshtare nuk duhet të përdoret për të përjashtuar kontributin real të kujdestares në jetën e baroneshës.

Ekspertiza dhe hapat e mëtejshëm

Prokuroria ka paraqitur një ekspertizë psikiatrike të bazuar në dokumente të mbledhura pas vdekjes, e cila sugjeron se baronesha vuante nga një përkeqësim i gjendjes mendore disa muaj përpara ndarjes nga jeta në nëntor 2023. Ndërkohë, gjykata ka urdhëruar sekuestrimin parandalues të pasurisë deri në një vendim të mëtejshëm.

Më 8 maj, gjyqtarja hetuese Consuelo Pasquali pritet të vendosë nëse çështja do të kalojë në gjykim penal dhe nëse nipërit do të pranohet të përfaqësojnë palën civile në procesin penal.

Të fundit