Flash News

E-TJERA

Basha përjashtoi Berishën, ambasada amerikane: Vendimi meriton respekt, PD pati kurajon për t’u ndarë nga e shkuara

Basha përjashtoi Berishën, ambasada amerikane: Vendimi meriton

Ambasada amerikane ka reaguar pas vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha për të përjashtuar nga grupi parlamentar i PD, ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ambasada kërkon që vendimi i Bashës të respektohet, duke e cilësuar të vështirë. Sipas saj, kryedemokrati demonstroi se Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen.

Në reagimin që është bërë në rrjetet sociale, vlerësohen edhe raportet e Shteteve të Bashkuara me PD, që nga themelimi i saj. Kujtojmë që në muajin maj, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli "non grata" ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij.

"Vendimi i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara.

Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri", thuhet në reagimin e ambasadës.

Kjo e fundit kërkoi distancimin e Bashës nga Berisha, pas vendimit të DASH. Ambasadorja Yuri Kim dha një mesazh të qartë, kur tha se: Do të ishte një ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do të duhet të hajë barë për hatër të një deputeti të saj. 

Në selinë blu demokratët u pozicionuan pro dhe kundër përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar. Ky i fundit refuzoi të hiqte dorë nga mandati i fituar më 25 prill dhe do të shkojë për herë të parë në Kuvend, si i përjashtuar nga PD.

Të fundit