Flash News

E-TJERA

Bashkia ndaloi lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë, shoqata e Ndërtuesve: E pamundur të punohet natën

 

Bashkia ndaloi lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë,
Foto Ilustruese

Sot kanë filluar punimet për rehabilitimin e segmentit Kryqëzim Rinas-Qafë Kashar. Bashkia e Tiranës publikoi disa ditë më parë, një rregullore me masa të reja ku ndalohej lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë ditës.

Shoqata e Ndërtuesve i ka drejtuar një letër autoriteteve përkatëse, përfshirë këtu edhe ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, kryebashkiakun Veliaj dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano.

Shoqata kërkon që të lejohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë orarit të punës, duke theksuar se ky është një problem i përsëritur ndër vite, dhe se janë disa procese të punës që nuk mund të presin në një moment të dytë.

“Duhet të sqarojmë se, për specifikat e betonit dhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet ky lloj procesi, është e pamundur që të punohet natën në lartësi të mëdha dhe pa ndriçim normal. Gjithashtu, ekzistojnë edhe procese pune që detyrimisht duhet të vazhdojnë pa ndërprerje 12 (dymbëdhjetë) orë e më tepër. Lënia në gjysmë e një bazamenti, strukturave mbajtëse ose e soletave është teknikisht e ndaluar mbasi demton qëndrushmërinë e objektit. Betoni nuk është material i cili shkarkohet si inertet dhe përpunohet në një moment të dytë”, shkruan shoqata në letër.

LETRA
Drejtuar: Z.Bledar ÇUÇI
Ministër i Brendshëm

Për dijeni: Z. Edi RAMA
Kryeministër i Shqipërisë

Z. Erion VELIAJ
Kryetar i Bashkisë Tiranës

Z. Gledis NANO
Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Z. Lorenc PANGANIKA

Drejtor i Policisë së Tiranës

Z. Besmir QIBINI
Drejtor i Policisë Rrugore të Tiranës

Lënda: Kërkesë për lejimin i lëvizjes së mjeteve të përpunimit dhe transportit të betonit, gjatë orarit të punës në Tiranë

Të nderuar zotërinj,
Shoqata e Ndërtuesve dhe Prodhuesit e Betonit, Ju urojnë një vit të mbarë, plot shëndet dhe suksese.në aktivitetin Tuaj.

Shoqata jonë ka qenë partnere dhe dëshiron të çojë përpara këtë partneritet me qeverisjen qendrore dhe lokale në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve që prekin kryesisht sektorin e ndërtimit.
Po ju drejtohemi, Juve, si titullari më i lartë i këtij institucioni për zgjidhjen e një problem aktual dhe shumë të rëndësishëm për ne:

Lejimin e vazhdimësisë normale të punës për prodhimin dhe transportin e betonit, lejimin e lëvizjes së autobetonierave të sektorit të ndërtimit gjatë orarit të punës në Tiranë. (Punonjësit e Policisë Rrugore nuk po lejojnë lëvizjen e autobetonierave para orës 20.00 në qytetin e Tiranës).
Theksojmë që ky ka qenë problem i përsëritur ndër vite për ne.

Duhet të sqarojmë se, për specifikat e betonit dhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet ky lloj procesi, është e pamundur që të punohet natën në lartësi të mëdha dhe pa ndriçim normal. Gjithashtu, ekzistojnë edhe procese pune që detyrimisht duhet të vazhdojnë pa ndërprerje 12 (dymbëdhjetë) orë e më tepër. Lënia në gjysmë e një bazamenti, strukturave mbajtëse ose e soletave është teknikisht e ndaluar mbasi demton qëndrushmërinë e objektit.

Gjithashtu, betoni nuk është material i cili shkarkohet si inertet dhe përpunohet në një moment të dytë. Betoni transportohet me makineri të cilësuara si makina teknologjike (autobetoniere), ka një orar teknikisht të caktuar brenda të cilit duhet të jetë i hedhur në vepër.

Për këtë arsye, kërkojmë nga institucionet kompetente lejimin e vazhdimësisë të punës tone normale, duke shmangur kështu, “abuzimet” e punonjësve të policisë ndaj firmave të betonit, në mënyrë të përditshme, në çdo rrugë të Tiranës.

Shpresojmë tek Ju, në zgjidhjen e këtij problemi.
Ju faleminderit për mirëkuptimin.
Me respekt,
Arben DERVISHAJ
Sekretar i Përgjithshëm i SH.N.SH-se

Të fundit