Flash News

E-TJERA

Baza ushtarake në Kuçovë, Begaj: Kapitull i ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së Shqipërisë dhe rajonit

Baza ushtarake në Kuçovë, Begaj: Kapitull i ri në

Në inaugurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, Presidenti Bajram Begaj u shpreh se rijetësimi i kësaj baze shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit.

“Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë. Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.  Nga kjo bazë, Ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes  dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtjekolektive. I shpreh mirënjohjen të gjithë aleatëve tanë në NATO, veçanërisht partnerit tonë strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik”, deklaroi Begaj.

Begaj thekoi se ky investim merr një rëndësi të veçantë në kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar.

“Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike. Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më. Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit. Ndaj, Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme”, shtoi Begaj.

Të fundit