Flash News

Bota

BE do të marrë 2 miliardë doza të vaksinës ndaj COVID-19, von der Leyen: Një pjesë për Ballkanin Perëndimor

BE do të marrë 2 miliardë doza të vaksinës ndaj
Në foto/ Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

"Bashkimi Evropian (BE) do të marrë rreth dy miliardë doza të vaksinës së koronavirusit", kështu ka njoftuar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Gjatë një bisede përmes videos me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, ajo tha se kjo sasi e vaksinave mundëson vaksinimin e 700 milionë njerëzve, përfshirë qytetarë të Ballkanit Perëndimor dhe Afrikës.

Sipas von der Leyen, Austria do të marrë 2% të numrit të përgjithshëm të vaksinave të porositura nga BE-ja, duke vlerësuar se kjo sasi është më shumë sesa që Austria mund të ketë nevojë.

Ajo tha se ndoshta vaksinat e para do të jenë në dispozicion në dhjetor. Komisioni Evropian (KE) nënshkroi kontratën e gjashtë për blerjen e vaksinave të koronavirusit të mërkurën më 25 nëntor. Kontrata u nënshkrua me kompaninë Moderna.

Sipas presidentes së KE-së, secila vaksinë së pari do të vlerësohet nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA) përpara se të dalë në treg, raporton rel.

Më 19 nëntor ajo kishte njoftuar për mundësinë që “para fundit të muajit të ardhshëm”, BE-ja të miratojë dy vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë testuar nga kompanitë Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

Von der Leyen më parë u ka bërë thirrje qytetarëve evropianë që të vazhdojnë të respektojnë kufizimet.

Vendet evropiane janë goditur nga një valë e dytë e pandemisë, që ka shkaktuar rritje të numrit të të infektuarve, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa të ashpra të izolimit.

Të fundit