Flash News

E-TJERA

BE-ja jep 90 mln euro ndihmë për Shqipërinë për të trajtuar pasojat ekonomike të pandemisë Covid-19

BE-ja jep 90 mln euro ndihmë për Shqipërinë për të

Komisioni Europian, në emër të BE-së, ka dhënë sot 90 milionë euro ndihmë makro-financiare (NMF) për Shqipërinë.

Kjo pagesë është pjesë e paketës NMF të emergjencës prej 3 miliardë eurosh për partnerët e zgjerimit dhe fqinjësisë, e cila synon t’i ndihmojë ata të kufizojnë pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19. Programi është një demonstrim konkret i solidaritetit të BE-së me partnerët e saj, për t’i ndihmuar ata që t’i përgjigjen ndikimit ekonomik të pandemisë COVID-19.

Paolo Gentiloni, Komisioner për Ekonominë, tha: “Jam shumë i kënaqur që shoh këto fonde të shkojnë sot në Shqipëri. Ky disbursim është një demonstrim i solidaritetit të BE-së me popullin shqiptar, por edhe i angazhimit të Shqipërisë për të përmbushur axhendën e rëndësishme të reformave të rënë dakord me Komisionin Europian.”

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca tha: “E përgëzoj Shqipërinë për përmbushjen me sukses të kushteve për Asistencën Makro-Financiare të BE-së për një program mbështetjeje prej 180 milionë eurosh. BE-ja mbështet Qeverisjen Ekonomike për Rimëkëmbjen Ekonomike. Ne e inkurajojmë Shqipërinë të ruajë besueshmërinë dhe llogaridhënien e saj ndaj institucioneve të BE-së dhe të çojë përpara zbatimin e reformave që janë thelbësore për qytetarët shqiptarë.” 

Pagesa e parë prej 90 milionë eurosh për Shqipërinë, në kuadër të këtij programi NMF u krye në mars 2021. Shqipëria ka përmbushur kushtet e politikës të vendosura me BE-në për dhënien e kësaj pagese të dytë dhe të fundit prej 90 milionë eurosh në kuadër të programit NMF COVID-19. Këtu përfshihen masa të rëndësishme për forcimin e financave publike dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, përmirësimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe rritjen e mbrojtjes sociale.

Shqipëria vazhdon të përmbushë parakushtet për dhënien e NMF-së për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe mekanizmave efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak dhe shtetin e së drejtës.

Me disbursimin e sotëm, BE-ja ka përfunduar tetë nga 10 programet NMF të paketës NMF prej 3 miliardë eurosh për COVID-19 dhe ka derdhur këstet e para për të gjithë partnerët.

Komisioni vazhdon të punojë ngushtësisht me gjithë partnerët e tij në NMF, për zbatimin në kohë të programeve të dakorduara të politikave. Monitor

Të fundit