Flash News

E-TJERA

Begaj dekreton 4 gushtin për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Himarë

Begaj dekreton 4 gushtin për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekreton zgjedhjet për kryetar bashkie në bashkinë Himarë.
Sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.
"Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj thirri në konsultë  Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gadishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.
Pas kësaj konsulte, Presidenti i Republikës,.Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore", njofton presidenca. 

Kujtojmë se KQZ i hoqi sot mandatin e kryebashkiakut Fredi Belerit.

Beleri siguroi votat dhe fitoi zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Himarës, por dy ditë para se të mbaheshin lokalet, u arrestua për blerje votash, ndërsa është dënuar me 2 vite burg.

 

Të fundit