Flash News

E-TJERA

Begaj kërkon mbështetjen e Italisë për integrimin në BE, zbardh diskutimet me presidentin Mattarella

Begaj kërkon mbështetjen e Italisë për integrimin në

Presidenti Bajram Begaj priti në një takim sot homologun italian Sergio Mattarella, me të cilin zhvilloi edhe një konferencë të përbashkët për mediat.

Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria dhe Italian kanë pasur historikisht marrëdhënie të mira, duke nënvizuar se bashkëpunimi duhet të rritet, kryesisht në fushën ekonomike.

Begaj bëri me dije se i kishte kërkuar Mattarrella-s mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE. Gjithashtu vuri theksin te rëndësia e rritjes së investimeve italiane në Shqipëri.

Presidenti shqiptar i kërkoi homologut italian përfundimin sa më parë të marrëveshjeve si ajo e njohjes së sigurimeve shoqërore.

“Me Presidentin Mattarella biseduam për rëndësinë e vijimit të mbështetjes italiane, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë teknik, në përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim dhe përshpejtimin e këtij procesi.

Prej dekadash, marrëdhënia me Italinë është e një rëndësie parësore për ne, e ngritur në nivelin e një partneriteti strategjik. Italia është partneri ynë i parë tregtar, ndër donatorët kryesorë bilateral dhe nga investitorët më të rëndësishëm, si për nivelin e financimeve, ashtu edhe për spektrin e ndihmës së ofruar.

Bashkëpunimi ndër-institucional ka pasur zhvillime pozitive në vitet e fundit, me negocimin e disa marrëveshjeve, si ajo për njohjen e lejeve të drejtimit apo dhe marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore (pensioneve), etj.  Për këtë të fundit, i kërkova Presidentit mbështetje që të përmbyllet sa më parë dhe të pasohet me të tjera nisma, që lehtësojnë jetën e qytetarëve tanë”, tha Begaj.

 

Të fundit