Flash News
Begaj takim me presidentin gjerman: Mora garanci për mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka zhvilluar një takim “kokë më kokë” në Berlin me homolgun gjerman, Frank-Walter Steinmeier, teksa ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore. Në fokus të takimit kanë qenë diskutimet për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Begaj i ka shprehur falënderime presidentit Steinmeier për kontributin në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit mes dy vendeve, teksa thotë se ka marrë garancinë për mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Takimi, tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik dhe i vëmendjes së vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Shqipërisë. Roli i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor i pazëvendësueshëm përballë sfidave që komprometojnë të ardhmen Euroatlantike. Duhet bashkëpunim i ngushtë rajonal. Mora garanci për mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Gjermani jep mbështetje për avancimin e reformave në Shqipëri dhe zhvillimin e vendit dhe oli i saj në Ballkanin Perëndimor është i pazëvendësueshëm përballë sfidave që komprometojnë të ardhmen Euroatlantike. E ardhmja evropiane udhërrëfyes për begatinë e rajonit.”, – tha Begaj.
Në Berlin, Begaj do të takohet dhe me drejtuesit e shoqatave të Diasporës, me të cilët do të bisedojë mbi integrimin ekonomik, social dhe politik të shqiptarëve në Gjermani.
Pas Berlinit, Begaj do të zhvillojnë një vizitë në Hamburg, ku do t’i bashkohet tifozëve kuqezi në “Volksparkstadion“ në përballjen e Shqipërisë me Kroacinë në Euro 2024. Më pas, kreu i shtetit do të pritet në një takim zyrtar nga kryetari i këtij landi, Dr. Peter Tschentscher.
Gjithashtu, në agjendën e presidentit Begaj është edhe takimi me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, si dhe me ish-raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein.