Flash News

E-TJERA

“Betejë për dinjitetin”, Kalaja në “Pasvon”: Nuk bleva vota, fitova zemrat e qytetarëve

“Betejë për dinjitetin”, Kalaja në
Foto e prodhuar me AI

Aulon Kalaja ka dhënë një rrëfim të gjatë në “Pasvon” të Alfred Lelës, ku ka folur për jetën e tij personale, angazhimin politik dhe përplasjet pas zgjedhjeve të fundit.

Gjatë bisedës, Lela u ndal te vendimi i Kalasë për t’u rikthyer në Fushë-Krujë pas zgjedhjeve, ndonëse aktivitetin e tij e ka të përqendruar në Tiranë.

Unë jam kthyer në Fushë-Krujë dhe jetoj andej që pas fushatës elektorale, pavarësisht se gjithë veprimtarinë e kam në Tiranë. E kisha detyrim, sepse realisht më dhanë shumë. Nuk kisha çfarë t’u ofroja, as punë, as legalizime, as për ta blerë votën. U kam thënë qytetarëve që nuk dua votat pa fituar zemrat e tyre”, u shpreh Kalaja.

Ai theksoi se rezultati i Partisë Demokratike në zonën e Krujës erdhi si pasojë e pakënaqësisë së qytetarëve dhe nevojës për përfaqësim lokal.

“PD e mori Krujën pas 18 vitesh. Kjo përmbysje ndodhi sepse ai qytet kishte vuajtur për një kandidat që vinte nga ai qytet, nga ato lagje. Unë i njoh vetes një meritë, kam shërbyer në zonën e Bubqit gjatë tërmetit, në raste përmbytjesh kam qenë aty. Unë kurrë nuk kam mohuar nga jam”, tha ai.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës ishte beteja e tij për rinumërimin e votave, e cila sipas tij u keqinterpretua si përplasje e brendshme politike.

Unë mora një rezultat fantastik, mbi 8 mijë e 200 vota. Më erdhën informacione që në disa kuti kishte parregullsi dhe ishin marrë disa vota. Shkova në KQZ, kërkova pamjet, pashë shkeljet dhe i verifikova. Shkova si kandidati i parë i zgjedhjeve 2025 që kërkoi rinumërim”, u shpreh ai.

Kalaja tregoi se procesi i rinumërimit nuk shkoi deri në fund.

“Ata vendosën rinumërim të plotë për Tiranën dhe Fierin, ndërsa për Durrësin rinumërim të pjesshëm, ku u hapën 290 kuti. Më thanë që nëse gjenim parregullsi do hapeshin të gjitha kutitë, por te kutia 152 numërimi u ndërpre. Unë doja vetëm të merrja hakun tim, sepse u kisha dhënë besën qytetarëve që do mbroja votën”, tha ai.

Ai shtoi se e vijoi betejën në rrugë ligjore, por u përball me refuzime në disa institucione.

“Dorëzova prova të reja në KAS, por më refuzuan. Kolegji Zgjedhor më rrëzoi, Gjykata Kushtetuese po ashtu. Nuk kisha çfarë të bëja tjetër veçse të shkoja në prokurori. Bëra dy kallëzime penale: për falsifikim zgjedhor dhe grup të strukturuar kriminal për vjedhjen e votave, si dhe ndaj KAS për moszbatim të ligjit”, u shpreh Kalaja.

Sipas tij, fillimisht SPAK nuk e konsideroi çështjen si vepër penale, por pranoi se mund të ketë pasur manipulim votash. Çështja tashmë është rikthyer për hetim me vendim të Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“SPAK më tha që nuk ka vepër penale, por është e vërtetë që votat mund të jenë manipuluar. Çështja shkoi në Prokurorinë e Durrësit. Unë e çova në GJKKO, e cila i pranoi dhe detyroi SPAK të hetojë. Kjo ka qenë një betejë vetëm për dinjitet”, tha ai.

Në intervistë u prek edhe marrëdhënia me të vëllanë, gjyqtarin Florjan Kalaja, për të cilin tha se shpesh njerëzit nuk e kuptojnë raportin që kanë.

“Kam një marrëdhënie të caktuar me vëllanë dhe shumë njerëz nuk e kuptojnë. Më thonë ‘po e ke vëlla’. Ka pasur raste kur më kanë ndërhyrë të dyja palët në një gjyq që të bëhesha ndërmjetës. Të dyja donin të fitonin gjyqin, çfarë t’u thuash?”, u shpreh ai duke qeshur.

Kalaja ndau edhe episode nga rinia, duke përfshirë pasionin për muzikën dhe një grup repi ku kanë qenë pjesë vëllai i tij dhe Marsel Lela.

I pyetur nga Alfred Lela, se si e kujtonte kete pjese, Kalaja tha: “ Quhej ‘Fati i Fundit’. Ka qenë një perlë për kohën, sepse Marseli dhe Florjani kanë qenë pjesë e grupit, bashkë me Sajmir Shehun. Madje përfshinin edhe mamin tim në refren, që për atë kohë ishte risi e madhe”.

Ai foli gjithashtu për eksperiencën në futboll, ku ka qenë pjesë e ekipit “Iliria” dhe është grumbulluar me kombëtaren U-17.

“Kam qenë te kombëtarja U-17, kam shënuar edhe gol në miqësore. Më kërkuan lekë për të shkuar në një turne në Spanjë. Babai u bë gati të merrte borxh, por unë nuk pranova. Thashë që në futboll kam hyrë për të fituar para, jo për të dhënë”, tregoi ai.

Ai foli edhe për pasionin për muzikën dhe gazetarinë, duke zbuluar se në familje ka pasur ndikim artistik.

Kam drejtuar koncerte që në moshën 6-vjeçare, prej babait. Doja të ndiqja juridikun si vëllai, por nuk e fitova. Kisha hedhur juridik, gazetari dhe filozofi. Fitova filozofinë, por më pas, pasi disa hoqën dorë, kalova në gazetari dhe aty vazhdova”, tha Kalaja.

Në fund, ai paralajmëroi angazhim të mëtejshëm në terren dhe denoncime për problematikat në infrastrukturë në zonën e Krujës.

 

Të fundit