Flash News

E-TJERA

Bino: Janë rritur rastet me Covid-19 te grupmoshat e reja; Manastirliu thekson rrezikun e Deltës: Vaksina është e vetmja armë

Bino: Janë rritur rastet me Covid-19 te grupmoshat e reja; Manastirliu

Gjatë inspektimit të procesit të vaksinimit, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino bëri me dije se janë rritur rastet me Covid-19 te grupmoshat e reja. Në këto kushte ajo iu bëri thirrje të rinjve që të shkojnë të vaksinohen

“Shikojmë një rritje të rasteve në grupmoshat e reja. Pra grupmoshat të cilat predominojnë në atë numër të kufizuar rastesh që kemi, janë grupmoshat nga 15 në 24, nga 25 në 34 dhe 35 në 44 dhe mbi 70 vjeç kemi pasur raste. Pra është e rëndësishme që këto grupmosha, sidomos grupmoshat e reja të vaksinohen”, tha Bino.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu theksoi rrezikun e përhapjes së shpejtë të variantit Delta. Duke nënvizuar se ka dyshime se qarkullon edhe në Shqipëri, ajo bëri thirrje për ndërgjegjësim dhe vaksinim.

“Kemi dyshime të arsyeshme nga sinjalet laboratorike se në Shqipëri qarkullon varianti Delta. Por ende jemi në pritje të rezultateve të Laboratorëve të Referencës për ta vërtetuar këtë dyshim tonin.

Ajo çfarë është e rëndësishme, duke u nisur edhe nga çfarë po ndodh në vendet përreth, ku shihet që ka një rritje të qarkullimit të këtij varianti dhe ka nevojë për të rritur ndërgjegjësimin në fakt për procesin e vaksinimit. Vaksina është arma e vetme që ne kemi”, tha Manastirliu.

Manastirliu bëri me dije se si çdo fillim jave, të hënën pritet një sasi tjetër vaksinash që do përbëhet nga 44 mijë doza Pfizer. Ndërkohë vijon java e vaksinimit masiv për çdo qytetar mbi 18-vjeç dhe përmes njësive të lëvizshme.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije në 24 orët e fundit janë kryer mbi 14 mijë vaksinime, ndërkohë që prej fillimit të procesit janë kryer mbi 1.1 milionë.

Të fundit