Flash News

E-TJERA

BIRN: Kuvendi rinis punën duke i hequr fjalën opozitës

BIRN: Kuvendi rinis punën duke i hequr fjalën opozitës

Kuvendi rinisi të enjten punimet pas një ndërprerje më shumë se 2 mujore për shkak të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit, në një seancë plenare që zgjati vetëm 15 minuta.

Mazhoranca nuk pranoi kërkesën e opozitës për diskutime të lira jashtë rendit të ditës ndërsa seanca ishte parashikuar në urdhrin paraprak të Kryetares së Kuvendit si procedurë vetëm me njoftime dhe miratimin e kalendarin 3-javor të punimeve.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi propozoi ndryshimin e rendit të ditës dhe futjen e diskutimeve të deputetëve për 60 minuta, duke iu referuar nenit përkatës në Rregulloren e Kuvendit, ku parashikohet që çdo deputet është i lirë të diskutojë çështje të ndryshme në bazë të një kohe të përcaktuar.

Por mazhoranca e rrëzoi propozimin me forcën e kartonave, ndërsa opozita protestonte.

Zgjedhjet e 11 majit i dhanë socialistëve një mandat të katërt dhe një mazhorancë të re parlamentare gati të cilësuar me 83 deputetë, por opozita akuzoi të enjten se zgjedhjet ishin një farsë dhe u ndikuan nga krimi i organizuar dhe përdorimi i burimeve publike në fushatë.

“Ju mblidheni këtu pasi klanet e vrasësve, drogës, kartelet e drogës, sjellin në këtë parlament 28 deputetë në lista të mbyllura dhe të hapura,” tha gjatë një ndërhyrje kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Pas ndërprerjes së seancës, Berisha tha për mediat se mazhoranca kërkon t’i shmanget debatit dhe transparencës.

“..kjo ishte një seance nga më të turpshmet ku pas një farse elektorale të paprecedent, në vend që qytetarët të dëgjonin të gjithë faktet, argumentet e opozitës për atë çfarë ndodhi më 11 Maj, këta ia mbathin brenda disa minutash,” tha Berisha.

Parlamenti aktual pritet të vijojë punimet deri në fillim të korrikut, ndërsa në shtator do të konstituohet legjislatura e re e dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Reporter.al

Të fundit