Flash News

E-TJERA

BIRN: PS fitoi zgjedhjet në aleancë me 'non-gratat', si e ndihmuan faktorët Doshi dhe Rakipi

BIRN: PS fitoi zgjedhjet në aleancë me 'non-gratat', si e

Minimalisht 300 mijë shqiptarë refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës për pushtetin vendor në Shqipëri, gjë që duket se i dha socialistëve fitore dërrmuese në shumicën e bashkive, pavarësisht se numri i votave ishte dhjetëramijëra më i ulët se sa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

BIRN krahasoi numri e votave të marra nga Partia Socialiste dhe aleati i tyre i pashpallur, PSD e Tom Doshit në vitin 2021 me numrin e votave që morën kandidatët e PS për kryetarë bashkie në zgjedhjet e së dielës. Rezultati tregon që mazhoranca ka humbur në rang vendi rreth 46 mijë vota krahasuar me vitin 2021. Në disa bashki kyçe si Shkodra dhe Kamza, socialistët e kanë rritur numrin e votave, ndërsa në bashki të tjera si Tirana, Vlora dhe Elbasani, kanë pësuar humbje votash.

Humbjet më të mëdha janë shënuar në Tiranë, ku kryebashkiaku Veliaj mori rreth 34 mijë vota më pak nga sa kishte fituar Partia Socialiste dhe PSD të marra së bashku në vitin 2021.

Suksesi më i madh elektoral i Partisë Socialiste në këto zgjedhje është thyerja e bastionit historik të së djathtës në Shkodër, ku kryebashkiaku i ardhshëm, Benet Beci fitoi rreth 34500 vota ose mbi 60%.

Një faktor kryesor në këtë fitore është aleanca me Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit – i emërtuar gjithashtu nga Departamenti amerikan i Shtetit për “korrupsion madhor”. Beci mori gati 9 mijë vota më shumë nga sa kishin marrë bashkërisht PS dhe PSD më 2021 – të dyja parti me rritje në Shkodër në zgjedhjet e vitit 2023.

Partia Socialdemokrate e Doshin po del një faktor përcaktues në shumë bashki të vendit. Doshi ka shprehur haptazi mbështetjen për Benet Becin në Shkodër dhe Kristian Shkrelin në Vaun e Dejës, me të cilin shtroi iftar para zgjedhjeve, ndërsa deputetët e PSD-së të dala nga zgjedhjet e vitit 2021 mbështesin rregullisht Ramën me vota parlamentare.

PSD rezulton se fitoi 23% të votave për këshillin bashkiak Shkodër, duke qenë pothuajse në të njëjtin nivel me koalicionin opozitar Bashkë Fitojmë. Votat për këshill bashkiak jepen veçmas votave për kryetar, por nëse supozojmë se votuesit e PSD-së për këshill kanë mbështetur Becin për kryetar, siç i ka këshilluar Doshi, atëhere rezulton se të 13 mijë votat e tij kanë kontribuuar në 37% të rezultatit të Becit, i cili mori 34 mijë vota në total.

Në Vaun e Dejës, PSD rezulton forca e parë në këshill me 32% të votave dhe 11 mandate, pasuar nga PS dhe BF me nga shtatë mandate. Kandidati i Partisë Socialiste në Vaun e Dejës Kristian Shkreli fitoi zgjedhjet me 56% të votave. Rezultati i tij, gati 8400 vota, duket se është mbështetur fort nga PSD.

Në Lezhë, ku kryebashkiaku i PS-së Pjerin Ndreu përmbysi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, PSD mori 20% të votave për këshilltar. Të dhënat e pjesshme, pasi numërimi për këshill në Lezhë vijon, tregojnë se Partia Socialiste është forcë e tretë, pas PSD-së dhe Partisë Kristiandemokrate. Kristiandemokratët, një parti që më herët pa pasur për deputet Mark Frrokun, do të ketë 9 nga 41 anëtarët e këshillit bashkiak të Lezhës, nëse rezultatet aktuale konfirmohen.

Në Lezhë, kandidati socialist fitoi me 3 mijë vota më shumë se sa kishte marrë PS në vitin 2021 ndërsa opozita humbi me 2,500 vota më pak.

Socialistët përdorën në zgjedhjet e së dielës edhe ndihmën e Ornaldo Rakipit, së paku për rezultatin e arritur në Bashkinë Vorë, ku fituan me shifrën plebishitare prej 74% të votave të vlefshme. Rakipi u shfaq në krah të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në festën e fitores në Vorë. Ai është i biri i Aqif Rakipit, ish-deputet i PDIU-së, i cili është emërtuar nga Shtetet e Bashkuara si person i përfshirë në korrupsion madhor, që ka lidhje me një organizatë të krimit në Elbasan dhe që ka blerë vota për Partinë Socialiste në qarqet Elbasan dhe Tiranë. Ornaldo Rakipi i siguroi rreth 16 mijë vota personale në qarkun Tiranë, vota që patën rëndësi kyçe për shumicën parlamentare aktuale të Edi Ramës./ BIRN

Të fundit