Flash News

E-TJERA

BIRN: Rinumërimi i kutive të 11 majit do të zgjasë deri në korrik

BIRN: Rinumërimi i kutive të 11 majit do të zgjasë deri
Foto ilustruese

Salla e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë nuk do të mirëpresë evente sportive për afro 1 muaj, pasi që nga dita e martë e në vijim do të vihet në shërbim të grupeve të numërimit të ngritura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për procesin e rinumërimit të votave të zgjedhjeve të 11 majit.

Pas vendimeve të marra nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve për hapjen e kutive në disa qarqe të vendit bazuar kryesisht në kontestimet e opozitës, një proces që duket se do t’i kushtojë vendit energji dhe kosto shtesë pa ndonjë pritshmëri për ndryshim të rezultatit paraprak të zgjedhjeve, ku partia socialiste ka marrë një mandat të katërt qeverisës me një shumicë gati të cilësuar mandatesh në Kuvend.

Do të jetë administrata e KQZ-së që do të rinumërojë dhjetra mijëra vota për të nxjerrë rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve , një procedurë që pritet të zgjasë certifikimin e zgjedhjeve të paktën deri në fund të muajit korrik me një kosto që i kalon 200 mijë euro.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri të hënën një tablo në shifra të procesit të rinumërimit, për të cilin ai premtoi se do të garantohet nga profesionalizmit dhe transparenca ndaj publikut në një transmetim të drejtpërdrejtë në rrjet gjatë gjithë kohës në rrjetet sociale të KQZ-së.

Sipas shifrave zyrtare, në total, do të hapen 2.323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kutitë e votimit nga jashtë vendit. Në proces do të përfshihen 24 grupe numërimi, me 63 punonjës të administratës dhe nga pikëpamja teknike rinumërimi do të realizohet në 24 tavolina, ku janë të pranishëm vëzhgues të autorizuar nga subjektet ankimuese.

Janë disa qarqe për të cilat është marrë vendim rinumërimi në total ose vetëm disa zona zgjedhore. Pritet me interes rinumërimi në qarkun Tiranë, qarku më i madh i vendit, ku do të përfshihen në proces të gjitha kutitë e votimit brenda vendit, 1.282 qendra votimi.

Po ashtu qarku Fier, ku do të rinumërohen të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët me  587 qendra votimi në total.

Në qarkun Durrës do të ketë rinumërim i plotë për 111 qendra votimit të KZAZ nr. 21 dhe 22;  126 qendra të listuara nga PD-ASHM dhe 60 qendra të kërkuara nga Partia Lëvizja e Legalitetit.

Në total në këtë qark do të hapen 360 kuti për rinumërim, nga të cilat 85 kuti i përkasin votave të Diasporës.

Rinumërimit do t’i nënshtrohen dhe 94 Qendra Votimit të KZAZ nr. 45 dhe 52 të qarkut Elbasan, vendimi i marrë të premten me kërkesë të anëtarëve të KAS, Elvis Çefa dhe Ledio Braho, pas rrëzimit me shumicë votash të ankesës së koalicionit opozitar.

Kostoja financiare e këtij procesi do të jetë rreth 215 mijë euro që do të shkojë për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve, infrastrukturën logjistike dhe për zarfe dhe materiale ndihmëse. Sipas Celibashit kjo kosto do të mbulohet nga fondi i akoruar KQZ-së për zgjedhjet e 11 majit.

Ankesat e depozituara në KQZ ngrenë pretendime për parregullsi në procesin e votimit dhe atë të numërimit të votave.

Në Tiranë, koalicioni PD-ASHM shpreson të marrë mandatin e 14-të, një garë që bëhet mes kandidatit demokrat, Ilir Alimehmeti dhe kandidatit të dytë në listë të partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili rezulton fitues paraprak.

Gjithsesi, nga rinumërimi mund të rezultojnë skenarë të tjerë që lidhen me votën preferenciale brenda mazhorancës, ku Blerina Gjylameti humbi mandatin për një grusht votash përballë Olta Xhaçkës, por u tërhoq nga kontestimi pas “tërheqjes së veshit” nga kryeministri Edi Rama.

Në Fier, shpresat për të fituar një mandat i ka Lëvizja Shqipëria Bëhet dhe betejën e ka me Partinë Socialiste. Në qarkun e Durrësit është kandidati i ASHM-së, Aulon Kalaja i cili ashtu si Gjunkshi ka ngritur pretendime për manipulim të votave preferenciale brenda llojit.

Ekspertët e shohin këtë proces si një matës për integritetin e administrimit zgjedhor, që mund të sjellë pasoja penale për komisionerët dhe ekipet e numërimit nëse konstatohen parregullsi, dhe të nxisë një reformë të re zgjedhore./BIRN

Të fundit