Flash News

E-TJERA

Biseda me Çapjan, Artan Hoxha tregon si ‘e ndërpreu’ Rama përgjimin e Taulant Ballës

Biseda me Çapjan, Artan Hoxha tregon si ‘e ndërpreu’

Gazetari Artan Hoxha ka zbardhur detaje të reja nga përgjimi i Taulant Ballës, teksa ky i fundit ka zhvilluar një bisedë me Ardjan Çapjan.

I ftuar në “Të Paekspozuarit”, Hoxha tha se telefoni i përgjuar i përket Ballës dhe kjo është provuar me vendim gjykate. Sipas gazetarit, përgjimi ndaj Ballës është ndërprerë pasi në një moment ai ka qenë duke folur me kryeministrin Edi Rama.

Prokurori ka kërkuar të ndërpritet menjëherë përgjimi i telefonatës dhe më vonë është bërë një shkresë tjetër rreth përgjimit.

Hoxha thotë se CD ku mbahej biseda e përgjuar është asgjësuar, ndërsa informacionet mbi të i di vetëm operatori.

“Telefoni që është përgjuar, është telefoni i Taulant Ballës. Kjo është e provuar në vendimin e gjykatës, numër 115. Në 3 shkurt 2016, janë vrarë tre vetë në një atentat në Elbasan. Objekt i sulmit ishin Çapjat, një familje e cila për gati dy dekada, ka qenë familja kryesore që ka komanduar në Elbasan. Të nesërmen ka patur një telefonatë, drejt telefonit të Ardjan Çapjas, nga Taulant Balla dhe i është thënë, për çfarë ke nevojë, sepse diskutohej që mund të kishte edhe viktima të tjera. Ne kemi parë helikopterin e Forcave të Armatosura, që ka sjellë të plagosurit.

Në datën 4 shkurt, oficerët e policisë gjyqësore, kanë bërë një filtrim të të dhënave dhe i kanë kërkuar prokurorisë të vënë në përgjim një numër personash, që mund të kishin dijeni. Mes numrave, ka qenë numri i Çapjas dhe shtetasit Taulant. Prokurori e ka marrë shkresën dhe ka vajtur në gjykatë dhe ka kërkuar që të lejojë përgjimin e telefonave, përfshirë edhe numrin e qytetarit me emrin Taulant. Ai e ka çuar me idenë, që ky komunikon me Çapjan dhe ne nuk e dimë kush është Taulanti. Nga data 4 shkurt 2016, deri në datën 6 shkurt 2016, telefoni i Taulant Ballës ka qenë në përgjim me vendim gjykate. 

Papritur, prokurori në Tiranë,  kur sheh numrat i del që ky numri po fliste me kryeministrin. Duke përgjuar numrin e Taulantit, doli se me kë fliste Taulanti.  Me urgjencë pastaj prokurori kërkon të bëhet shkresë tjetër, për të ndërprerë përgjimin. Sa u mor vesh që po fliste "i madhi", u ndërpre. Këto biseda kanë qenë të dokumentuara në pajisjen që bëhet përgjimi dhe në CD. Nuk i kanë zbardhur por kanë kërkuar menjëherë që të ndërpritet përgjimi. Kur shkuan për së dyti, gjykatës i kanë thënë ne kemi bërë një lapsus dhe duhet ndërprerë.

Për të mbuluar atë që ka ndodhur, pas dy javësh, i kanë thënë gjykatës, që kjo CD ku është biseda, duhet të asgjësohet. Biseda nuk është zbardhur. Atë e di vetëm operatori dhe të tjerët nuk e kanë zbardhur”, ka thënë Balla.

Të fundit