Flash News

E-TJERA

Bizneset që u "dogjën" dhe lulëzuan në pandemi, flasin për Politiko.al Arbi Agalliu, Mateo Spaho dhe Suzana Guxholli

Bizneset që u "dogjën" dhe lulëzuan në pandemi,
Foto ilustruese

Kriza që shkaktoi pandemia ishte problem i dytë më i rëndësishëm, pas shpëtimit të sa më shumë jetëve nga Covid-19. Koronavirusi shkaktoi një krizë të thellë në Shqipëri, ku një numër i konsiderushëm biznesesh falimentuan, por pati edhe sipërmarrje që u zhvilluan pavarësisht bllokimit total të ekonomisë.

Ekspertët e ekonomisë Arbi Agalliu dhe Mateo Spaho kanë analizuar për Politiko.al situatën e bizneseve, masat e ndërmarra nga qeveria, shkaqet që thelluan mbylljen masive të sipërmarrjeve dhe prishmëritë e 2021.

Cilat janë bizneset që lulëzuan dhe ato që falimentuan në pandemi?

Agalliu: Kjo varet nga elasticiteti i kërkesës në një treg të caktuar, që do të thotë se ka disa produkte apo shërbime që sido që të jetë situata ekonomike apo shëndetësore e individëve do të kërkohet.

Ato biznese që vijuan aktivitetin e tyre apo patën edhe më tepër rritje ishin, industria farmaceutike dhe industria e produkteve ushqimore. Në pandemi individët rendën të blinin ilace, vitamina apo mjete të tjera të cilat u rekomanduan nga autoritetet përkatëse.

Po kështu aktiviteti spitalor pati rritje të konsumit të tyre. Familjet kishin atë frikën ose pikpyetjen se çfarë do të ndodhte. Kështu që rendën të mbushnin raftet e tyre me ushqime për të qenë të sigurt në një prespektivë afatshkurtër.

Spaho: Janë mbyllur së paku 60% e bizneseve që merren me organizimin e turizmit me udhëtimet, sepse natyrisht kanë qenë të goditura nga mbyllja e kufijëve. Dhe natyrisht transporti ka qënë një nga fushat më të rrezikuara në këtë sens.  Por edhe ndërmarrjet që i shërbejnë eksportit kanë patur problematika jo të vogla.

Do të doja të kujtoja që eksporti është tkurrur me së paku 10%. Duke vazhduar pastaj me biznesin e vogël, pasi krizën e kanë përjetuar më shumë shtresat e ulëta. Dyqanet e lagjes kanë vuajtur më shumë, pasi nuk kanë influence dhe nuk bëjnë dot presion politik për të mbajtur hapur apo mbyllur aktivitetin e tyre.

Në rend pastaj kemi lokalet. Më i reduktuar është dëmi në bujqësi. Ky i fundit rrezikon krizën vitin tjetër, sepse çmimet këtë vit të ri nuk po rriten. Gjithashtu shikojmë që blerjet janë shumë të reduktuara sidomos nëse dalim nga Tirana. Përtej kësaj ka patur sektorë si ndërtimi që nuk kanë përjetuar krizë. Kjo pasi lejet e mëdha të ndërtimit që janë dhënë sidomos në Tiranë e kanë lëvizur këtë sector pozitivisht. Por do të doja tju kujtoja që këto leje ndërtimi mundet të ishin dhënë edhe me plane më të mira edhe duke ndërtuar lagje të reja. Jo domosdoshmërisht duke ndërtuar kulla në qendrat e qytetit. Pra ndërtimi ka levizur por ky zhvillim jo gjithmonë nënkupton një zhvillim ose një rritje të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Në përgjithësi ekonomia ka patur një tkurrje dhe kjo tkurrje do të jetë së paku 7-8%  në mesataren vjetore. Dhe kjo gjë do të thotë që 1/10 e të punësuarve shqiptarë ka humbur vendin e punës.

Guxholli: Bizneset e vogla u goditën dyfish nga tërmeti dhe pandemia. Ato ishin tashmë delikate e tw sfilitura nga kriza para goditjeve si rezultat i keq qeverisjes, korrupsionit, mungesës së shtetit ligjor dhe strukturave te korruptuara të gjyqësorit, pronësi të paqarta, politika ekonomiko fiskale të ndryshueshme e jo të qëndrueshme, borxh i lartë që u rrit edhe më shume dhe përgjatë krizës, papunësia e lartë sidomos tek të rinjtë, varfëria relativë më e lartë në Evropë.

Bizneset më të prekura nga kriza që shkuan në mbyllje ose falimentim janë: Tw vetëpunësuarit, rrobaqepësitë, berberët, lavazhet, bilardot, pastiçeritë, baret e restorantet, agjencitë turistike dhe të udhëtimit me një rënie 86%, shërbimet e taksive dhe transporti i udhëtarëve e mallrave.

Cilët ishin faktorët kryesor për dështimin dhe zhvillimin e tyre?

Agalliu: Mund të themi se situata të tilla pandemie janë të pazakonta, janë tepër të rralla. Në këtë konteks, individët, konsumatorët apo tregjet kanë një pasiguri e cila shoqërohet edhe me tkurrje të aktivitetit të tyre. Por patjetër që në dështimin apo falimentimin e firmave, kompanive të ndryshme apo vendosjen në vështirësi të tyre, ishte pikërisht fakti i mosfunksionimit të tregut sidomos në periudhën e izolimit.

Nëse do të rendis shkurtimisht se cilët ishin faktorët, do të thoja patjetër që situata e pandemisë dhe së dyti, paniku që është mjaft i rëndësishëm në funksionimin e tregjeve.

Spaho: Qeveria shqiptare nuk ka ndërhyrë ose ka ndërhyrë në dy raste dhe këto dy raste përtej një ndihme të drejtëpërdrejtë që është një pagë minimale e quajtur gabimisht pagë lufte.

Sepse në fakt është një pagë e aprovuar në vitin 2011 në një ligj i cili thotë që kur shteti të detyron të mbyllësh një aktivitet ekonomik ai duhet të të japë dëmshpërblim. Në fakt ndodhi sepse kur ti mbyll një aktivitet  ekonomik duke paguar taksat dhe jo për fajin tënd shteti që të detyron ta mbyllësh duhet të të japi një dëmshpërblim. Kjo gjë u bë vetëm pjesërisht, pra vetëm 40% e bizneseve u ndihmuan, 60% e tyre nuk morën asnjë lekë.

Guxholli: Kriza nga COVID-19 sipas gati 57% e bizneseve, që solli rënien e fuqisë blerëse, mungesën e punës, likujditetit, pamundësitë financiare për të paguar detyrimet e taksat. Arsye të tjera të falimentimit bizneset konsiderojnë edhe taksat e larta, mungesën dhe reduktimin e punës, gjobat e tatimorëve dhe monopolet, efektet sezonale dhe ulja e fuqisë blerëse. Po ashtu shkak i kësaj situate është dhe konkurenca e pandershme dhe politikat klienteliste twqeverisjes.

A  ishte e mjaftueshme ndihma e qeverisë ndaj sipërmarrjeve, nëse jo, çfarë masash duhet të merrte?

Agalliu: Në optikën time këto ndihma ishin të pamjaftueshme. Ishin tepër të përqëndruar te konsumatori dhe jo te biznesi. Shtojmë këtu faktin e vonesës së marrjes së ndihmës nga konsumatori, nga i punësuari pati një vonesë tek ajo që quhet paga e luftës.

Biznesi nuk pati asnjë lloj, unë do ta quaja të tillë asnjë lloj ndihme, madje dhe detyrimet, ( po jap një shembull: pagesa e energjisë elektrike dhe e ujit u bë u faturua mbi të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që biznesi nuk kishte likuiditet për ti paguar). Kështu që në këtë kontekst e gjithë qasja ndaj biznesit ishte joprofesionale në optikën time dhe linte për të dëshiruar.

Cfarë masash mund të merrte? Nëse unë do të isha kryeministër i vendit, patjetër që do të zeroja çdo detyrim që biznesi ka për të paguar në Buxhetin e Shtetit gjatë periudhës së karantinës, do të minimizoja në minimumin e mundshëm të gjitha detyrimet që biznesi ka gjatë kohës së pandemisë.

Do të anulloja të gjitha investimet publike për momentin duke i shtyrë në një kohë të dytë. Dhe i gjithe ky kapital do të shkonte si një injektim në ekonomi për të rritur qarkullueshmërinë e kapitalit.

Spaho: Kemi patur  me emrin ndihmë disa gracka, cilat kanë qënë këto gracka? Ti thuash biznesit sidomos te madhit shko merr kredi bankare për të paguar punonjësit kur ata nuk janë në punë është një grackë. Grackë është edhe kur i thua biznesit merr kredi bankare dhe norma e kredisë është shumë më e lartë deri në mbi 5% në raport me një kredi që biznesi do të merrte normalisht me një normë 3-4% pra kredia do të ishte me e shtrenjtë.

Qeveria shqiptare as që e ka vënë ujin në zjarr se nuk ka patur ndonjëherë interes të mbrojë interesat e qytetarëve por vetëm PPP-të. Dhe tani edhe në momentin e dytë kur duhet të merrte masa mbylljeje në raste të caktuara nuk e ka bërë këtë sepse nuk ka dashur të rimbursojë bizneset. Kjo gjë po vijon sidomos për bizneset që lidhen me transportin sidomos transporti ndërkombëtar. Dhe po vijon me bizneset që lidhen me jetën e natës që sidomos për vendet turistike dhe për qytetin e Tiranës nuk janë aspak dytësore.

Guxholli: Paketat e ndihmës ndaj biznesit ishin anemike dhe fare të pamjaftueshme. Ato ndihmuan disa prej bizneseve të mbajnë frymën por jo jetën shpesh. Bizneset vetë i kanë vlerësuan paketat financiare 1 dhe 2 si të pamjaftueshme për të përballuar detyrimet.

Mbështetja financiare nga qeveria me tre paga minimale ishte e pamjaftueshme për të mbajtur hapur aktivitetet e shumë bizneseve. Fondi i garancise bankare nuk ju dha mundesi dhe ishte i papërdorëshëm për shumë biznese, vetëm disa prej tyre përfituan. Shtyrja e pagesave të kredive u kthye në kosto shtesë borxhi të biznesit ndaj bankave.  Ndihma e qeverisë per biznesin në Shqipëri është klasifikuar si shumë e vogël, më e ulta në Rajon dhe si e pamjaftueshme edhe nga Banka Botërore apo Fondi Monetar.

Duke parë trendin e muajve të fundit, si e shikoni gjendjen e bizneseve në 2021?

Agalliu: Unë besoj që deri në momentin e largimit të kësaj pandemie, patjetër ne do të vijojmë të kemi ulje apo dobesim të bizneseve, do të kemi ulje të aftësive paguese të tyre do të kemi një reduktim të investimeve të tyre, do të kemi një përkeqësim të situatës ekonomike.

Bizneseve do t’ju duhen minimalisht dy deri në tre vite për tu rikthyer në gjendjen e tyre fillestare para pandemisë. Kështu që do të duhet një lloj përgjegjshmërie nga qeveria, që do të vijë pas zgjedhjeve të 25 prillit për të marrë masa për forcimin e klimës së biznesit dhe uljen e barrës fiskale të biznesit duke i lënë biznesit hapsirën e nevojshme për të zhvilluar veten.

Spaho: Së paku deri në muajin shtator nuk do të kemi ndonjë lajm të mire. Gati deri në tremujorin e vitit 2021 për mendimin tim do të jenë në mëshirën e fatit. Dhe kjo gjë nënkupton se ky rrënim ekonomik i vendit nuk do të rikuperohet dot për vitin 2021.

Kështu që në thelb pikëpyetjet dhe problematikat e mundshme janë ende mjaft mjaft të mëdha. Për vitin 2021 kemi disa sfida si vendq ë nuk i kanë vendet e tjera dhe që duhet ti tejkalojmë vet. Besoj se nëse do të kemi një mandate të tretë të qeverisë Rama, vendi do të ketë problematika më të mëdha se Covid-19 për katër vitet e ardhshme.

Guxholli:Kriza si sfidë zhvillimi ka hapur shtigje të reja dhe po ushqen përqasje të reja ndaj bizneseve dhe tregut të punës. Shumë biznese kanë ndryshuar modelin e biznesit duke u përshtatur me kushtet e pandemisë dhe duke e kthyer këte sfidë në formë të re pune, portofole të reja produktesh e formë të re përqasuri ndaj biznesit. Biznesi po kalon në forma të reja pune si on-line, në rimodelime teknologjike dhe në produkte të reja novatore.

 

Të fundit