Flash News

E-TJERA

BKH kontroll në banesat e Arben Ahmetajt, Lala: U sekuestruan 30 mijë euro dhe u morën disa dokumente

BKH kontroll në banesat e Arben Ahmetajt, Lala: U sekuestruan 30 mijë

Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar mbrëmjen e sotme (9 mars) kontrolle në banesën e partneres së ish zv kryeministrit Arben Ahmetaj.

Gazetarja e News 24, Klodiana Lala ka dhënë detaje lidhje me këtë aksion. Duke folur në emisionin ‘Open’, Lala tha se kontrollet kanë zgjatur afro dy orë dhe janë zhvilluar në shtëpinë e ish-gruas së Ahmetajt.

“BKH ka mbërritur sot në dy banesat që rezultojnë të jenë në pronësi të partneres aktuale dhe ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt. Kontrolli i parë është ushtruar në një vilë në zonën e Hamallajt, në vilën e partneres së tij, janë sekuestruar 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë vilë.

Në shtëpinë e ish-bashkëshortes, që ka filluar në orën 14:40 dhe ka përfunduar në orën 15:20 minuta,  rezulton se nuk janë gjetur para, ndërsa janë marrë disa dokumente që vlerësohen të rëndësishme për hetimet.

Kujtojmë se Ahmetaj ka një hetim të hapur për aferën e Inceneratorëve, hetim që kryesohet nga Altin Dumani, që është dhe kreu i SPAK.

Në muajin nëntor të 2022, prokurorët e SPAK kanë siguruar një akt inspektimi mbi kompjuterin e  Klodian Zoto, i shpallur në kërkim për disa vepra penale për incenratorët. Në këtë akt pretendohet se ka të dhëna për disa pagesa të kryera nga ky i fundit për Ahmetajn dhe partneren e tij, për hotelet ku kanë qëndruar jashtë vendit.

Nuk është në hetim Ahmetaj, por roli i tij, për korrupsion, shpërdorim detyre  dhe pastrim parash. Në kuadër të këtij hetimi janë ndërmarrë dhe veprimet e ditës së sotme.

Personat që kanë qenë në këto dy ambiente, pasi është kryer kontrolli nga BKH, kanë firmosur pa probleme procesverbalet.

Hetimet në këtë fazë duket se kanë përparuar dhe më pas pritet që Prokuroria të dalë me një vendim për fatin e ish-kryeministrit.

Prokuroria krahas veprimeve brenda vendit, njëherazi ka kërkuar informacion nga autoritetet e huaja për të konfirmuar nëse Ahmetaj ka qëndruar në hotele jashtë Shqipërisë, që  pretendohet se janë paguar nga Klodian Zoto”, deklaron Lala.

 

  

Të fundit