Flash News

E-TJERA

Bleu vota për të bijën, SPAK çon për gjykim babain e kandidates së PSD-së

Bleu vota për të bijën, SPAK çon për gjykim babain e

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka dërguar për gjykim Pandeli Bozhën dhe Vladimir Lushkajn, pasi akuzohen bleu vota për vajzën kandidate të PSD, Limonera Bozha në zgjedhjet e 11 majit.

Bozha akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”, ndërsa Lushkaj për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.

Njoftimi i SPAK: 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.60/1 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve:

Pandeli Bozha – i akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, i parashikuar nga nenet 328 i Kodit Penal
Vladimir Lushkaj – i akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, i parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Hetimet për këtë procedim penal janë zhvilluar përmes metodave proaktive.

Gjatë procesit hetimor, nga kqyrja e pamjeve filmike dhe veprimet procedurale të autorizuara nga prokurori është dokumentuar një episod i datës 08.05.2025, rreth orës 10:00, kur shtetasi Pandeli Bozha ka shkuar në banesën e shtetasit Vladimir Lushkaj.

Në këtë takim, Pandeli Bozha i ka futur në xhep një kartëmonedhë dhe i ka treguar një fletë të ngjashme me atë të votimit, duke i sugjeruar emrin e kandidatit për të cilin duhet të votonte.

Pas marrjes në pyetje, shtetasi Vladimir Lushkaj ka dorëzuar pranë oficerëve të policisë gjyqësore kartëmonedhën dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku emri i kandidatit për deputet ishte theksuar me ngjyrë portokalli. Këto materiale janë sekuestruar si prova në kuadër të këtij procedimi penal.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se veprimet e dokumentuara përmbushin elementë të veprave penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe Korrupsion pasiv në zgjedhje”, të parashikuara respektivisht nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal. 

Sqarim:  Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Të fundit