Flash News

E-TJERA

Bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas paralizon Juglindjen, ARRSH orienton shoferët drejt një rruge tjetër të dëmtuar

Bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas paralizon Juglindjen, ARRSH orienton

Përkeqësimi i situatës në segmentin “Arrat e Gurrës”, në zonën e Dragostunjës, përgjatë aksit Librazhd–Prrenjas, ka çuar në vendimin për bllokimin e plotë të qarkullimit në këtë pjesë të rrugës.

Rrëshqitja dhe fundosja e trupit të rrugës, dhe rreziku i shembjes së urës, si pasojë e lëvizjes së masivëve të tokës, ka rritur ndjeshëm rrezikun për automjetet, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë me masa emergjente. Do të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat, shërbimet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar ndalimin e qarkullimit për të gjitha mjetet dhe ka orientuar drejtuesit e automjeteve të përdorin rrugën alternative Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh–Elbasan deri në stabilizimin e situatës.

Por devijimi i trafikut drejt këtij aksi ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e udhëtarëve.

Segmenti Lozhan–Moglicë–Gramsh, i prezantuar si një investim strategjik për juglindjen e vendit, po përballet vetë me probleme strukturore. Në disa pjesë janë konstatuar çarje në trupin e rrugës, ndërsa anësoret kanë pësuar rrëshqitje dherash, duke dëmtuar strukturën mbajtëse dhe duke rritur rrezikun për qarkullimin e mjeteve.

Bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas paralizon Juglindjen, ARRSH orienton
Aksi Lozhan–Moglicë–Gramsh

Aktualisht, qarkullimi në aksin nacional Maliq–Lozhan–Strelcë kryhet me një sens.

Situata ka shtuar shqetësimet për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e punimeve në këto akse, si dhe për mënyrën e menaxhimit të emergjencës. Orientimi i trafikut nga një segment i dëmtuar drejt një aksi tjetër problematik shton rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët, në një kohë kur siguria rrugore duhet të jetë prioritet absolut.

Ndërsa autoritetet flasin për masa stabilizuese, mbetet e paqartë se sa i sigurt është devijimi i propozuar dhe sa do të zgjasë bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas, një nga nyjet e rëndësishme lidhëse në lindje të vendit.

 

 

Të fundit