Flash News

E-TJERA

I arrestuar edhe më parë/ Bllokoi llogaritë e një biznesi, bie në pranga vëllai i Adriatik Alimadhit

I arrestuar edhe më parë/ Bllokoi llogaritë e një biznesi,
Fatos dhe Adriatik Alimadhi

Një përmbarues privat ka rënë në pranga, pasi bllokoi llogaritë rrjedhëse të një subjekti privat, pa e njoftuar. Ai është identifikuar si Fatos Alimadhi dhe është vëllai i ish-deputetit, Adriatik Alimadhi.

55-vjeçari akuzohet për "shpërdorimi detyre". Policia e Tiranës bën me dije se në hetim në gjendje të lirë janë edhe dy përmbarues të tjerë me inicialet S. D., dhe P. Q.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. A., gjatë ushtrimit të funksionit si përmbarues privat, duke shpërdoruar detyrën, ka firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse të një subjekti privat, pa e njoftuar këtë subjekt. 

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit S. D., dhe P. Q., me detyrë përmbarues privat, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës"”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë Tiranë.

Vëllai i ish-deputetit është një emër i njohur për policinë. Në vitin 2018, ai përfitoi përmes vjedhjes një shumë prej rreth 30 mijë euro në lidhje me shitjen e një apartamenti.

Alimadhi në atë kohë iu shmang hetimit duke zhdukur dosjen përmbarimore, në lidhje me shitjen e apartamentit, ku në ankandin e dytë, në bazë të ligjit duhet të shitej me vlerë 20% më i ulët se ankandi i pari, por ky apartament është shitur disa herë më ulët se kjo vlerë që para shikon ligji. Në këtë mënyrë ai përfitoi mbi 30 mijë euro.

Ndërsa në 2015-ën, Fatos Alimadhi është gjykuar për mashtrim me pasoja të rënda, pasi ka përvetësuar 4,5 milionë lekë të reja të disa shtetasve, të cilët kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.

 

Të fundit