Flash News

E-TJERA

Bota vs. Rusisë në sanksione simbolike: nga pija ‘Moscow Mule’, te derdhja e vodkës apo heqja e emrit ‘Putin’ nga bari

Bota vs. Rusisë në sanksione simbolike: nga pija ‘MoscowFoto: Maya Alleruzzo/Associated Press

Në Zvicër, festivali muzikor i Lucernës anuloi dy koncerte simfonike me një maestro rus. Në Australi, ekipi kombëtar i notit tha se do të bojkotonte një takim të kampionatit botëror në Rusi. Në Zonën e Skive Magic Mountain në Vermont, një banakier derdhi shishe me vodka Stolichnaya në lavamanin e barit.

Në këtë mënyrë bota po bëhet bashkë kundër Rusisë së Putinit, me akte simbolike nga kultura te sporti, në shenjë proteste kundër pushtmit të Ukrainës.  

Valery Gergiev, dirigjent dhe mbështetës i Putin, i janë anuluar veprimtaritë muzikore  në Lucernë të Zvicrës, Carnegie Hall të New York-ut , La Scala në Milano dhe mund të përballet me shkarkim nga Filarmonia e Mynihut, ku ai është kryedirigjent. Kësaj mund t’i shpëtojë nëse del kundër pushtimit të Ukrainës.

Rusia është përjashtuar nga Eurovizioni i këtij viti. Çmimi i madh i Formula 1 i Rusisë, i planifikuar për në shtator në Soçi, është anuluar. Shën Peterburgu ka humbur finalen e futbollit të Champions League, e cila u zhvendos në Paris.

Bota vs. Rusisë në sanksione simbolike: nga pija ‘Moscow Foto: Ronald Wittek/EPA, via Shutterstock

Shpresat e Rusisë për Kupën e Botës u shuan të hënën pasi një grup vendesh iu bashkuan Polonisë duke refuzuar të luanin me ekipin kombëtar rus në raundet kualifikuese. Në Gjermani, klubi i futbollit Schalke ndërpreu një marrëveshje sponsorizimi me gjigantin rus të naftës Gazprom. Liga Kombëtare e Hokejit pezulloi marrëdhëniet e biznesit në Rusi.

Të hënën, Greqia njoftoi se do të pezullonte të gjitha bashkëpunimet me organizatat kulturore ruse. Një ish-yll francez i baletit, Laurent Hilaire, dha dorëheqjen si drejtor i Kompanisë Teatrore Stanislavksi në Moskë. 

Në Jerusalem, izraelitë rusofonë mblidheshin në pijetoren e njohur Putin. Të enjten, pronarët me origjinë ruse hoqën shkronjat e arta "P-U-T-I-N" nga fasada dhe njoftuan se po kërkonin një emër të ri.

Shtetet amerikane të Pensilvanisë, Jutahut, Ohajos, Nju Hempshërit apo edhe Kanadaja, kanë hequr vodkën e markës ruse nga raftet e dyqaneve të pijeve. (Në disa raste, gjesti është i gabuar: Stolichnaya, megjithëse historikisht një markë ruse, prodhohet në Riga, Letoni).

Në Brazil, një bar në São Paulo e ka riemëruar Moscow Mule (Mushka moskovite)- një pije e krijuar në Shtetet e Bashkuara që bëhet me vodka, birrë xhenxhefili dhe limon (lime) - si UN Mule.

Hera e fundit që u provokua një reagim i ngjashëm ishte viti 1980 kur Shtetet e Bashkuara, Gjermania Perëndimore, Japonia dhe Kanadaja bojkotuan Lojërat Olimpike në Moskë për të protestuar kundër pushtimit të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik. Sovjetikët u përgjigjën duke anashkaluar Lojërat e vitit 1984 në Los Anxhelos.

Përgatiti: Politiko.al

Të fundit