Flash News

E-TJERA

Braçe kritika për paketën fiskale: Të hiqen favorizimet ndaj bizneseve të mëdha. Demokrati e "sfidon": Mos e voto!

Braçe kritika për paketën fiskale: Të hiqen favorizimet

Deputeti Erion Braçe ka shprehure rezerva ndaj buxhetit 2022 që pritet të miratohet sot në Kuved. Ai ka bërë disa propozime që sipas tij duhet të përfshihen në paketën e re fiskale.

Deputeti thotë se paketa fiskale për vitin e ardhshëm demton më të dobëtit. Sipas Braçes duhet të hiqet 6% TVSH për hotelet e mëdha. Ai shtoi se bizneseve të mëdha duhet t'u reduktohen favoret. Braçe deklaroi nga Kuvendi, se hoteleve të mëdha iu është lejuar organizimi i lojrave të fatit dhe se ky lehtësim iu mjafton.

"Kam kërkuar fillimin e shkurtimit e listës e përjashtimeve apo favoreve kryesore, e tipologjive të ndryshme të biznesit të madh kryesisht që kanë sjellë të ardhura të mëdha në bilancet e tyre, do të doja që në ligjin për TVSH të hiqen këto dy përjashtime.

Heqjen për shkallës së reduktuar 6% të TVSH  për të gjitha furnizimet në hotelet e mëdha. Sepse çdo furnizim i këtyre hoteleve nga letra higjienike deri te pijet alkoolike paguajnë vetëm 6% TVSH. Në dallim nga çdo produkt tjetër dhe çdo konsumator familjar duke nisur nga çmimi i bukës.

Natyrisht kjo masë u mor për ti favorizuar, por unë them se mjafton një favor dhe ai është e drejta që i kemi dhënë për të organizuar lojëra fati dhe kazino brenda ambienteve të tyre, të drejtë që ia kemi hequr të gjithë pjesës tjetër të ekonomisë", tha Braçe.

Ky i fundit propozon gjithshtu që të mos favorizohen bizneset që ndërtojnë në zonat turistike, rezidenciale jashtë qyteteve dhe vijën bregdetare.

"Kam propozuar heqjen e përjashtimit për furnizimin me tokë dhe me ndërtesë, me tokë për qëllime ndërtimi e me ndërtese në shitjen e parë për të gjitha zonat rezidenciale të ngritura jashtë qyteteve të Shqipërisë dhe në vijën bregdetare. Të gjithë këtyre sipërmarrësve iu është bërë një favor, i është dhënë tagri si investitor strategjik, e favori i dytë që i kemi dhënë territore në zonën bregdetare.

Ka një kosto të madhe për turizmin që po zë shtëpi për ata që kanë shtëpi dhe që nuk funksionon në pjesën më të madhe të vitit, por në krahun tjetër toka është e humbur në zonën bregdetare dhe rurale. Për të ndaluar zaptimin e tokës, natyrisht që ne të taksojmë qoftë furnizimin me tokë dhe në blerjen e parë", tha Braçe.

Ai kërkoi që të hiqet favorizimi për pijet energjike dhe birrën në vend, duke shtuar se taksimi ndaj qumështit pluhur, bëhet nul.

Propozimet e Braçes u mbështetën dhe nga opozita. Deputeti demokrat Bujar Leskaj i kërkoi Braçes që të mos e votojë paketën e re fiskale, duke e "sfiduar" që të dëshmojë vërtetësinë e propozimeve që paraqiti.

"I dëgjuam me vëmendje, ne i kemi mbështetur dhe do ju mbështesim propozimet tuaja edhe në parim. Sa herë të keni propozime konstruktive do ju mbështesim se ju i tillë jeni. Ju jeni i ndërgjegjshëm se në këto propozime tuaja mazhoranca nuk ju mbështet dhe këto vendime merren nga kjo qeveri. Iu ftoj juve Erion të mos e votoni këtë paketë fiskale. Kjo do jetë dëshmia e atyre fjalëve dhe mendimeve konstruktive që ju keni", tha Leskaj.

Të fundit