Flash News

E-TJERA

“Butrinti nuk është për komunikim publik”, Auron Tare kritikon tenderin 50 mijë dollarë të AADF

“Butrinti nuk është për komunikim publik”, Auron Tare

Studiuesi Auron Tare ka shprehur shqetësimin e tij me një tender të ri prej 50 mijë dollarësh të shpallur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për “Komunikim dhe Shërbime të Marrëdhënieve me Publikun” në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Në një postim në Facebook, Tare rendit nevojat urgjente të Butrintit që sipas tij do të kishin prioritet ndaj shpenzimeve për “marrëdhënie me publikun”.

“Restaurimi i Teatrit Antik i pa prekur që nga viti 2000; guida të trajnuara profesionalish; rojtarë të Parkut të përgatitur dhe të paguar siç duhet të cilët i larguan në vitin 2006 për ta dhënë ruajtjen e Parkut me Tender, restaurime cilësore, jo tendera të radhës; plane dhe restaurime për monumentet jashtë qendrës antike; botime dhe studime të nivelit të lartë shkencor; programe për fëmijë dhe shkolla; projekte për përfshirjen e komunitetit lokal; një koncept i qëndrueshëm për menaxhimin e turizmit dhe arkeologji detare”, janë sugjerimet e Tares për Parkun Kombëtar të Butrintit.

Studiuesi thekson se Butrinti është një trashëgimi kombëtare e jashtëzakonshme, një nga thesaret më të rëndësishme arkeologjike në Mesdhe, dhe nuk duhet të trajtohet si një markë për promovim politik apo fasadë.

“50 mijë dollarë do të mund të ndihmonin në këto nevoja urgjente dhe jo në zëra abstraktë që nuk sjellin vlerë të qëndrueshme për publikun,” shkruan Tare, duke e cilësuar tenderin si një shpenzim të papërgjegjshëm dhe jo në përputhje me rëndësinë e Butrintit.

Ai kritikon faktin që administrimi i Parkut i është dorëzuar një fondacioni privat të huaj, duke e konsideruar këtë një heqje dorë të shtetit shqiptar nga përgjegjësitë e tij për ruajtjen dhe menaxhimin e kësaj pasurie kombëtare.

“Shteti shqiptar, përmes një vendimi të miratuar në Kuvend, ia ka dorëzuar administrimin e Parkut, Fondacionit AADF, një subjekt privat që, në të gjitha praktikat perëndimore  përfshirë edhe vetë SHBA-të  nuk do të lejohej kurrë që një park Kombetar të administrohej nga një Fond i Huaj. Nuk është  anti amerikanizëm të kërkosh qeverisje transparente dhe kombëtare të trashëgimisë kulturore. Është përgjegjësi qytetare”, shkruan Tare.

Të fundit