Flash News

E-TJERA

Ceremonia për Gegën, Patozi: Luiza nuk e gëzoi medaljen e artë, udhëheqësit e duan si plaçkë

Ceremonia për Gegën, Patozi: Luiza nuk e gëzoi medaljen e

Parakalimi i sportistes Luiza Gega e cila u shpall pak ditë më parë kampione Evrope në 3 mijë metra në Mynih, ngjalli mjaft polemika dhe reagime nga opinioni i gjerë publik.

Ish-koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar parakalimin e Gegës dhe ‘shfaqjen’ e qeverisë për të nderuar sportisten që i dha një tjetër medalje Shqipërisë.

Në një postim në Facebook, Patozi ka kritikuar qeverinë duke thënë se për ta nuk ka një, por dy Shqipëri të ndryshme. Patozi paraqet dy Shqipëritë: njërën që lulëzon nën qeverisjen e Ramës e cila mbetet abstrakte, dhe tjetra që lulëzon duke mos qenë nën qeverisjen e tyre.

Patozi shton se qeveria sot tregoi se e do Luizën si një plaçkë duke theksuar se dita e sotme u duk jo një ditë suksesi, por një ditë dështimi.

Postimi i plotë:

SHQIPËRIA ËSHTË NË MES

Si nuk harruan një herë dhe nuk e humbën kurrë një rast për të na treguar se për ta nuk ka një, por dy Shqipëri diametralisht të ndyshme.

Njëra, që lulëzon e zhvillohet e lumtur nën qeverisjen e tyre, të cilën, as shohim, as e prekim, as e ndjejmë edhe në ëndrrat tona më të bukura. Dhe jo se nuk duam, por thjesht sepse ajo nuk ekziston.

Kurse tjetra, që nxin e sterron njësoj edhe në kohërat më të bekuara, kur Zoti dhe natyra e teprojnë me bujarinë e vet, vetëm për shkak se nuk drejtohet prej tyre.

Mos u lodhni kot të kërkoni një datë, një vend, një fenomen, e aq më pak një personazh, që t'i bëjë bashkë këto dy botë të ndara si për vdekje.

Ndaj edhe mos u çudisni që ta shpifin njësoj, si ata që e teprojnë me festat e shpëlara vetëlavdëruese, ashtu edhe ata të tjerët me mallkimet histerike për çdo ngjarje dhe histori, jo domosdoshmërisht politike.

Duke përfshirë këtu edhe medaljen e artë të Luiza Gegës, të cilën nuk ia lanë as të zonjës së punës ta gëzonte një ditë, sepse u përlanë prapë midis tyre, sikur të mos ishte ditë suksesi, por ditë dështimi kombëtar.

Në fakt Shqipëria reale është në mes, një dhe e vetme. Ajo e jeton të sotmen e saj me ngjyrat e halleve të mëdha dhe gëzimeve të pakta, duke u përpjekur pa shumë sukses, por me shpresë që një ditë do t'i shpëtojë darës së bardhezisë së këtyre udhëheqësve legjendarë, të cilët e duan atë vetëm si plaçkë që dergjet dhe pastaj ndahet nën këmbët e tyre.

Të fundit