Flash News

E-TJERA

Dalin detaje të reja nga përplasja me armë në Athinë, dy familjet shqiptare në konflikt për drogë

Dalin detaje të reja nga përplasja me armë në Athinë,

Detaje të reja kanë dalë nga përleshja me armë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Athinë. Ndërkohë bilanci i viktimave është rritur në tre, pasi ka ndërruar jetë në spital një prej të plagosurve.

Mediat greke shkruajnë se përplasja ka ndodhur mes dy familjeve shqiptare, të cilat ishin të përfshira në trafikun e drogës dhe me precedentë penalë të mëparshëm.

Gjithçka nisi mëngjesin e së shtunës, kur anëtarët e dy familjeve u takuan në rrugën Kourtidou, në Kato Patisia, për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre personale. Por situata agravoi.

Ndërsa në mbrëmje, rreth orës 21:30, në kryqëzimin e rrugëve Georgiou Nazou dhe Kourtidou, në Kato Patisia, një “Mercedes” me një drejtuese femër dhe dy pasagjerë të tjerë është afruar dhe ka qëlluar drejtuesin e një motori, duke e plagosur rëndë.

Motoçikletën e ka ndjekur babai i viktimës, në një makinë tip “Audi”, në të cilën udhëtonin dy persona të tjerë.

Babai ka qëlluar për vdekje autorin e plagosjes së të birit. Pasagjeri i “Audi-t”, i cili tentoi të vraponte për t'u mbrojtur, u përplas nga një makinë që kalonte dhe mbeti i plagosur.

Në të njëjtën kohë, pasagjeri i Mercedesit i cili më parë kishte hapur zjarr është larguar nga makina. Menjëherë pas kësaj, ai ka ndaluar një shofer që kalonte dhe i ka marrë mjetin nën kërcënimin e armës.

Ndërkohë policia u njoftua dhe u vendos në kërkim të tij. Policia e lokalizoi në Agioi Anargyrou, ku dyshohet se kishte për qëllim të kryente një grabitje në një lokal.

I dyshuari ka tentuar të ikë në këmbë. Makina e patrullës e ka ndjekur. Më pas, ai ka qëlluar në drejtim të efektivëve të policisë, duke plagosur njërin në këmbë, ndërsa i dyti ka marrë një plumb në shpatull.

Policia iu përgjigj zjarrit, duke plagosur për vdekje autorin e armatosur. Ndërkohë është arrestuar edhe drejtuesja femër e Mercedesit.

 

 

Të fundit